Kurti nga Reçaku: Ka përfunduar lufta për çlirim, por jo beteja për drejtësi
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të mërkurën në akademinë përkujtimore për Masakrën e Reçakut i çoi mesazh Serbisë se lufta për çlirim ka përfunduar, por jo edhe beteja për drejtësi. Në fjalën e tij, Kurti ka thënë se kriminelët që kryen masakrën e Reçakut vazhdojnë të mbesin të pandëshkuar. Siç ka thënë shefi i ekzekutivit,…
Lajme
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të mërkurën në akademinë përkujtimore për Masakrën e Reçakut i çoi mesazh Serbisë se lufta për çlirim ka përfunduar, por jo edhe beteja për drejtësi.
Në fjalën e tij, Kurti ka thënë se kriminelët që kryen masakrën e Reçakut vazhdojnë të mbesin të pandëshkuar. Siç ka thënë shefi i ekzekutivit, ata duhet të ndëshkohen, qoftë edhe në mungesë.
“Varre të hapura në tokë, plagët e hapura në shpirt, arkivat e mbyllura në Beograd. Krimet e kryera gjatë luftës nuk ka qenë e thënë të ndodhin, nuk është dashur të ndodhin. Ajo që duhet të ndodhë për pasojë është drejtësi, gjykimi dhe ndëshkimi i kriminelëve, qoftë edhe në mungesë. Në vitin 1998/99 thuhej se përfundoi beteja, por jo edhe lufta. Në raport me Serbinë tash duhet të thuhet e kundërta, ka përfunduar lufta, por jo edhe beteja. Ka mbaruar lufta për çlirim, por jo edhe beteja për drejtësi”, ka thënë kryeministri Kurti.