PSD për fushatën e LVV-së: Përsëritje që jehon nga e kaluara dhe e tashmja e politikës autoritare

Partia Socialdemokrate (PSD), ka thënë se në fjalimet e fushatës zgjedhore të Albin Kurtit, po ka  përsëritje që jehon nga e kaluara dhe e tashmja gjë e cila sipas tyre vjen si shkak i shkathtësisë oratorike dhe keqpërdorimit të shifrave si fakte. Në komunikatën e lëshuar nga PSD-ja thuhet se Kosovës nuk i duhet centralizimi…

Lajme

15/01/2025 13:31

Partia Socialdemokrate (PSD), ka thënë se në fjalimet e fushatës zgjedhore të Albin Kurtit, po ka  përsëritje që jehon nga e kaluara dhe e tashmja gjë e cila sipas tyre vjen si shkak i shkathtësisë oratorike dhe keqpërdorimit të shifrave si fakte.

Në komunikatën e lëshuar nga PSD-ja thuhet se Kosovës nuk i duhet centralizimi i së vërtetës që manipulon me realitetin, por siç thuhet, i duhet proces i vazhdueshëm i dialogut e reflektimit.

“Rekord pas rekordi.120 përqind, 800 përqind, 1000 përqind. Sukses i pa parë. Zvicra tha prej nesh është bërë. Në fjalimet e fushatës zgjedhore të Kurtit, shohim një përsëritje që jehon nga e kaluara dhe e tashmja e politikës autoritare: suksese rekorde, të papara, dhe një tabelë e pafundme e shifrave. Rituali i shkathtësisë oratorike. Keqpërdorimi i shifrave si fakte. Kjo është çka ndodhë në Hungari, në Turqi, në Rusi”.

“Një shembull i thjeshtë: ASK tregon se struktura e shpenzimeve në ekonomitë familjare ka ndryshuar ashtu që shpenzimet për ushqim janë rritur ndjeshëm në krahasim me shpenzimet tjera. Në vitin 2018 ushqimi përbënte 38 përqind të shpenzimeve, kurse në vitin 2022 arriti në 54 përqind të tyre. Në ndërkohë, Kurti flet për rekorde të mirëqenies. M’i sillni në zyre ata që duan të ikin nga Kosova na tha”.

“Në demokraci ekziston hapësira për diskutim, debat, papajtueshmëri. Kjo hapësirë është pamundësuar, sepse kur Kurti flet me shifra, ato flasin vetë. Mrekullitë janë të padiskutueshme. Edhe pse këto shifra janë manipulim i së vërtetës. Në vitin 2018, kur flisnim për Kurtin si autoritar, nuk parashikonim, as nuk ekzagjëronim madje. Kosova vendosi të na refuzonte. Thanë janë të marrë këta. Shoqëria vendosi të “rrëzohej vetë prej dardhës”. Nuk ka problem. Por ja pasojat në rritje”, theksohet tutje në komunikatën e PSD-së.