Përmirësimi i cilësisë së ajrit kërkon zgjidhje sistematike, thotë njohësi i mjedisit
Profesori universitar dhe njohësi i mjedisit, Zeqir Veselaj, ka folur rreth cilësisë së ajrit në Prishtinë, duke theksuar nevojën për një qasje sistematike nga ana e institucioneve shtetërore për përmirësimin e kësaj situate. Sipas Veselajt, cilësia e ajrit në Prishtinë dhe më gjerë është një sfidë e vazhdueshme që prek shëndetin e qytetarëve, teksa theksoi…
Lajme
Profesori universitar dhe njohësi i mjedisit, Zeqir Veselaj, ka folur rreth cilësisë së ajrit në Prishtinë, duke theksuar nevojën për një qasje sistematike nga ana e institucioneve shtetërore për përmirësimin e kësaj situate.
Sipas Veselajt, cilësia e ajrit në Prishtinë dhe më gjerë është një sfidë e vazhdueshme që prek shëndetin e qytetarëve, teksa theksoi se ajo nuk ndryshon me ndërrimin e stinëve, viteve apo edhe të qeverive. “Prishtina dhe Kosova karakterizohen me një cilësi të ajrit jo të mirë për shëndetin njerëzor dhe kjo situatë kërkon një përpjekje dhe zgjidhje sistemike nga ana e shtetit, që qytetarët e Kosovës të thithin një ajër të një cilësie më të mirë se sa e kanë sot”, tha ai.
Veselaj evidentoi disa nga burimet kryesore të ndotjes së ajrit. Sipas tij, termocentralet e KEK-ut, të cilat përdorin qymyrin si burim energjie, kanë ndotur ajrin në mënyrë të vazhdueshme për dekada. Kjo ndotje ka ndikim të drejtpërdrejtë jo vetëm në Prishtinë, por edhe në zonat përreth. Megjithatë, faktor i dytë i ndotjes sipas tij është ngarkesa e madhe në komunikacion, cilësia e dobët e rrugëve dhe dominimi i veturave me naftë.
Ai tha se në Kosovë ende mbizotëron ngrohja me dru dhe qymyr, ndërkohë që edhe përdorimi i invertorëve apo konvertorëve, që furnizohen me energji elektrike që burimin e kanë nga qymyri, kontribuon në përkeqësimin e cilësisë së ajrit.
Veselaj vuri në pah një përmirësim të lehtë në cilësinë e ajrit gjatë ditëve me reshje bore. Ai theksoi se reshjet ndihmojnë në uljen e grimcave të dëmshme në atmosferë, duke sjellë një lehtësim të përkohshëm për qytetarët.
Ai tha se Prishtina nuk është qyteti më i ndotur në Ballkan apo Evropë, por theksoi se kjo nuk duhet të jetë arsye për të injoruar problemin.
“Autoritetet nuk duhet të jenë komode dhe të thonë se mjedisi ynë është në rregull, sepse ajri që po e thithim nuk është i një cilësie që neve na duhet”, tha Veselaj në një intervistë për RTK.