Maqedoni e Veriut: Me ligjin e ri, tekstet shkollore falas në 5 gjuhë
Ligji i ri për tekstet shkollore në arsimin fillor dhe të mesëm në Maqedoninë e Veriut rregullon përgatitjen, përzgjedhjen, miratimin, lëshimin dhe tërheqjen nga përdorimi të teksteve shkollore për shkollat fillore dhe të mesme, ku do të merren tekste më cilësore dhe ato do të vazhdojnë të jenë falas, raporton Alsat.mk. Ministrja e Arsimit dhe…
Lajme
Ligji i ri për tekstet shkollore në arsimin fillor dhe të mesëm në Maqedoninë e Veriut rregullon përgatitjen, përzgjedhjen, miratimin, lëshimin dhe tërheqjen nga përdorimi të teksteve shkollore për shkollat fillore dhe të mesme, ku do të merren tekste më cilësore dhe ato do të vazhdojnë të jenë falas, raporton Alsat.mk.
Ministrja e Arsimit dhe Shkencës në RMV, Vesna Janevska, duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve, tha se me modelin e ri, tekstet shkollore u jepen shtëpive botuese, por në fillim do të funksionojnë të dy modelet për prodhimin e teksteve, sepse procedurat që kanë nisur duhet të përfundojë pas ligjit të vjetër.
“Në një takim me shtëpitë botuese tashmë i kemi bërë me dije se përllogaritja e vlerës së teksteve do të bëhet me një formulë dhe janë dakord, që do të thotë se çmimi maksimal i tekstit do të jetë i kufizuar. Çmimi ndikohet, natyrisht, nga qarkullimi, përkthimet dhe elementë të tjerë. Jemi i vetmi vend që prodhojmë tekste falas në 5 gjuhë, por do të vazhdojmë të bëjmë edhe në të ardhmen, që fëmijët tanë të fitojnë më shumë njohuri, kompetenca dhe shkathtësi”, tha ministrja Janevska.
Ekspertët e konsultuar nga ministria, Shërbimi Pedagogjik dhe komisioni që punoi për ligjin, janë të bindur se me modelin e ri do të shmangen gabimet dhe do të kenë tekste më cilësore, të cilat së bashku me programet e reja të krijuara nga Zhvillimi i Arsimit, Byroja, do të kontribuojë në përmirësimin e procesit arsimor, sqaroi Janevska.