Mbyllja e një objekti të strukturave paralele në veri, reagon Lista Serbe: Kurti hodhi 80 punëtorë në rrugë për fushatë zgjedhore
Një aksion i zhvilluar sot në veri të Mitrovicës ka rezultuar me mbylljen e një objekti të strukturave paralele serbe, i cili shërbente si zyrë tatimore në kuadër të degës së Ministrisë së Financave të Serbisë. Në lidhje me këtë aksion, zv/komandanti i Policisë së Kosovës në veri të vendit, Veton Elshani tha se njerëzit…
Lajme
Një aksion i zhvilluar sot në veri të Mitrovicës ka rezultuar me mbylljen e një objekti të strukturave paralele serbe, i cili shërbente si zyrë tatimore në kuadër të degës së Ministrisë së Financave të Serbisë.
Në lidhje me këtë aksion, zv/komandanti i Policisë së Kosovës në veri të vendit, Veton Elshani tha se njerëzit që kanë qenë aty janë larguar, por se nuk ka pasur arrestime.
“Rreth orës 09:00 kemi hyrë në këtë ndërtesë, e cila sipas informacioneve tona, ka funksionuar si zyre tatimore (si degë e Ministrisë së Financave të Serbisë). Në këtë vend kemi hasur në prova që e vërtetojnë dyshimin tonë dhe pas konsultimit me Prokuror, njerëzit që janë has aty janë largu nga ai vend dhe ajo ndërtesë është mbyllë deri në verifikim të plotë të fakteve”, ka thënë ai.
E i menjëhershëm ka qenë reagimi i Listës Serbe, pas mbylljes së këtij objekti.
Nga Lista Serbe thanë se institucioni i Administratës Tatimore u mbyll “dhunshëm dhe ilegalisht”.
Kjo parti ka akuzuar kryeministrin Albin Kurti se po e bën për fushatë zgjedhore.
“Duke mbyllur ilegalisht dhe dhunshëm Administratën Tatimore në Mitrovicën e Kosovës dhe duke hedhur në rrugë 80 punëtorë serbë, Albin Kurti vazhdoi fushatën e tij zgjedhore, të cilën e zhvillon ekskluzivisht pas shpinës së popullit serb, sepse nuk ka çfarë t’u ofrojë votuesve të tij”.
Gjithashtu, Lista Srpska pretendoi se “ka keqtrajtim të njerëzve që kanë kaluar gjithë jetën e tyre të punës në këtë godinë dhe i kanë shërbyer të gjitha komuniteteve pa përjashtim”.
“Tashmë sot do të takohemi me punonjësit e prekur të Administratës Tatimore dhe do të diskutojmë me ta të gjitha llojet e ndihmës dhe mbështetjes dhe do t’u përcjellim mesazhin se asnjëri prej tyre nuk do të mbetet pa të ardhurat dhe se ekzistenca e tyre do të jetë e sigurt. Kurti, me njësitë e tij policore dhe ministrat e bindur si Nenad Rashiq, pushton dhe grabit ndërtesat dhe objektet serbe me dhunë, ai nuk mund ta detyrojë popullin serb të largohet nga vatrat e tij shekullore dhe as të pengojë ne dhe shtetin e Serbisë që të ndihmojmë popullin tonë”.
Ndërsa duhet përkujtuar që Policia e Kosovës, Njësia kundër Krimeve Ekonomike po e heton këtë rast si falsifikim i dokumenteve./Lajmi.net/