Berisha i reagon Kurtit: Partitë opozitare nuk reformohen asnjëherë për tu dukur si ti dhe LVV-ja
Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se partitë opozitare nuk janë reformuar dhe sipas tij nuk shohin mundësi të një koalicioni paszgjedhor. Për këtë deputeti i PDK-së, Hisen Berisha ka thënë se kjo është dhimbja e Kurtit, pasi asnjë parti nuk janë si ta. Ai tha se partitë nuk reformohen asnjëherë për tu dukur si Kurti…
Lajme
Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se partitë opozitare nuk janë reformuar dhe sipas tij nuk shohin mundësi të një koalicioni paszgjedhor.
Për këtë deputeti i PDK-së, Hisen Berisha ka thënë se kjo është dhimbja e Kurtit, pasi asnjë parti nuk janë si ta.
Ai tha se partitë nuk reformohen asnjëherë për tu dukur si Kurti dhe LVV-ja.
“Nuk janë reformuar partitë opozitare sepse nuk i ngjajnë Kurtit në asgjë, as në formën e të bërit opozitë duke kallë e shkatërruar institucione me akte terroriste… nuk i ngjajnë Kurtit me vjedhje në rezervat e shtetit, tregti në energji dhe transaksione milionash etj. Partitë opozitare nuk reformohen kurrë më u dukur si Kurti dhe LVV. Këtu e ka dhimbjen Kurti …“, ka thënë ai në Tëvë1.
Tutje, ai tha se pretendimet e tyre për 500 mijë vota janë thjesht propagandë dhe sipas tij LVV nuk kanë me çfarë t‘i dalin përpara qytetarëve.
“Ky njëri nuk ka kurrfarë respekti për asnjë vlerë të këtij vendi. Vitin e Ri e ka festuar në Norvegji… 500 mijë vota , ky është mjetë i propagandës. Është skenar për ta mbuluar dështimin, sic janë skenar edhe Banjska edhe sulmi në Ibër-Lepencë dhe largimi i Listës Serbe në Kuvend dhe nga KQZ-ja. Janë thjesht populizëm sepse nuk ka, me çfarë t’i dal qytetarit përpara”, ka deklaruar Berisha.
Ndryshe, Kurti tha se PDK, LDK dhe AAK, në këto katër vite nuk janë reformuar.
“Ne nuk shohim mundësi që të kemi koalicione paszgjedhore prandaj edhe i kemi bërë ato parazgjedhore, së pari me partinë Guxo dhe gjithashtu me partinë Alternativa, me të cilët kemi bashkëqeverisur në këto katër vjet dhe i kemi përvojat dhe mbresat më të mira nga njëri-tjetri. Partitë që kanë qenë gjatë në qeverisje në Kosovë për dy dekada, nganjëherë dy prej tyre, nganjëherë të trija bashkë, PDK, LDK dhe AAK, në këto katër vite unë nuk kam parë që janë reformuar dhe kur e kemi parasysh se, sidomos në muajt e fundit, sulmet që janë bërë ndaj subjektit tonë politik, ndaj eksponentëve të subjektit tonë politik, ndaj qeverisjes sonë të mirë e demokratike, nuk shohim mundësi që të kemi çfarëdo koalicioni në mandatin tjetër, për më tepër që nuk do të jetë as i nevojshëm”, tha Kurti.