​Kurti: Nuk shoh vështirësi për marrëdhënie të shkëlqyeshme me SHBA-të

Kryeministri Albin Kurti tha se marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara janë të shkëlqyeshme, derisa theksoi se do të ketë bashkëpunim me presidentin e zgjedhur, Donald Trump, siç tha ai, përmes institucioneve të shtetit “më parë sesa me kompani apo ndërmjetës”. Në një intervistë për KosovaPress, Kurti tha se nuk sheh “vështirësi për marrëdhënie të shkëlqyeshme…

Lajme

06/01/2025 17:38

Kryeministri Albin Kurti tha se marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara janë të shkëlqyeshme, derisa theksoi se do të ketë bashkëpunim me presidentin e zgjedhur, Donald Trump, siç tha ai, përmes institucioneve të shtetit “më parë sesa me kompani apo ndërmjetës”.

Në një intervistë për KosovaPress, Kurti tha se nuk sheh “vështirësi për marrëdhënie të shkëlqyeshme me shtetet e Bashkuara të Amerikës”.

“Në raport me Shtetet e Bashkuara të Amerikës ne kemi marrëdhënie të shkëlqyeshme të cilat nuk janë vetëm në fushën e diplomacisë, janë edhe në fushën e mbrojtjes dhe të zhvillimit. Në fushën e mbrojtjes ne po bëjmë gjithnjë e më shumë blerje nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe kemi plane të tilla për të ardhmen, të armatimit, po bëjmë trajnime së bashku me ta, po përgatitemi për ‘Defender Europe 25’, ku do të jemi edhe nikoqir jo vetëm pjesëmarrës, ndërkaq në fushën e zhvillimit, sidomos me USAID, dhe e kemi e kemi programin kompakt prej 236.7 milionë dollarësh që na shndërron në vendin me numrin më të madh të baterive akumuluese nga energjia e ripërtritshme për kokë banori në botë. Ndërkaq me presidentin Trump do të bashkëpunojmë, do të komunikojmë, komunikimet tona zhvillohen në mënyrë zyrtare midis institucioneve të shtetit, më parë sesa me kompani ose me ndërmjetësues. E kemi ambasadën e Republikës së Kosovës, e kemi ambasadorin tonë Ilir Dugolli i cili punon ditë e natë me institucionet e shtetit amerikan”, tha Kurti.

Kurti tha se Shtetet e Bashkuara janë partneri kryesor dhe aleati i pazëvendësueshëm i Kosovës.

“Samiti i Uellsit i NATO-s i vitit 2014 ka thënë që duhet 2% e buxhetit për mbrojtje, t’i dedikohet mbrojtjes 2% e brutoproduktit vendor, ne këtë gjë e kemi arritur. Kosova qysh në vitin 2023, lerë më në 2024 dhe tash më 2025, e ka tejkaluar 2% e brutoproduktit vendor për ushtri, kjo ka qenë kërkesa kryesore ndaj aleatëve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Pra kërkesa kryesore e presidentit Trump është kalojeni 2 përqindëshin, tash po thuhet që nuk mjafton por nëse nuk mjafton ne do ta arrijmë edhe kuotën e re por unë nuk shoh kurrfarë vështirësish për marrëdhënie të shkëlqyeshme me shtetet e Bashkuara të Amerikës, që janë partneri ynë kryesor, aleati i pazëvendësueshme dhe miku special”, shtoi Kurti