Shpërthen dhuna në familje, raportohen katër raste për një ditë në rajonin e Prishtinës

Policia e Kosovës ka njoftuar për 4 raste të dhunës në familje në rajonin e Prishtinës gjatë 24 orëve të fundit, prej të cilave dy raste kanë ndodhur në kryeqytet, një në Obiliq dhe një në Podujevë.   Për rastin e Obiliqit, Policia bëri të ditur se një femër (shtetase e Shqipërisë) është sulmuar fizikisht…

Lajme

25/12/2024 09:47

Policia e Kosovës ka njoftuar për 4 raste të dhunës në familje në rajonin e Prishtinës gjatë 24 orëve të fundit, prej të cilave dy raste kanë ndodhur në kryeqytet, një në Obiliq dhe një në Podujevë.

 

Për rastin e Obiliqit, Policia bëri të ditur se një femër (shtetase e Shqipërisë) është sulmuar fizikisht nga një mashkull kosovar, i cili më pas është sulmuar nga një mashkull tjetër (shtetas kosovar).  Viktima ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa dy të dyshuarit pas intervistimit me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje.

Në Podujevë, është sulmuar gjithashtu një shtetase e Shqipërisë, nga një i dyshuar (mashkull kosovar). I dyshuari është shoqëruar në stacionin policor dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt, ndërsa viktima me vullnetin e saj ka vazhduar për në Republikën e Shqipërisë, njofton Policia e Kosovës.

Kurse, në Prishtinë, pas një mosmarrëveshje, një femër (shtetase e Kosovës) është sulmuar fizikisht nga i dyshuari mashkull kosovar. Lidhur me rastin ankuesja ka kërkuar urdhër mbrojtës dhe më pas është dërguar në strehimore, ndërsa i dyshuari është arrestuar dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt.

Në rastin tjetër në Prishtinë, Policia e Kosovës raporton se pas një mosmarrëveshje, një femër kosovarë është sulmuar fizikisht nga i dyshuari, gjithashtu shtetas i Kosovës. I njëjti është shoqëruar në Polici dhe pas intervistimit është liruar në procedurë të rregullt. /Lajmi.net/