Pritja për Krishtlindje, mesazhe për paqe e dashuri nga imzot Dodë Gjergji e udhëheqës të shtetit

Ipeshkvi i Kosovës, Imzot Dodë Gjergji përçoi mesazhe paqeje e dashurie në pritjen solemne për festën e Krishtlindjes. Ai ka ftuar të gjithë të pagëzuarit që të jenë bartës të kësaj dashurie, të këtij vullneti për paqe për të ndërtuar harmoni dhe shpresë në mesin e njerëzve. “Ne të gjithë së bashku duhet të jemi…

Lajme

24/12/2024 20:58

Ipeshkvi i Kosovës, Imzot Dodë Gjergji përçoi mesazhe paqeje e dashurie në pritjen solemne për festën e Krishtlindjes.

Ai ka ftuar të gjithë të pagëzuarit që të jenë bartës të kësaj dashurie, të këtij vullneti për paqe për të ndërtuar harmoni dhe shpresë në mesin e njerëzve.

“Ne të gjithë së bashku duhet të jemi “tharmi” i cili do të ruaj paqen dhe dashurinë në ditët tona. Po ashtu sikur lutej Shën Franqesku e më vonë Shën Nënë Tereza… Dua të ftoj të gjithë të pagëzuarit që të jenë bartës të kësaj dashurie të këtij vullneti për paqe dhe kësaj urtësie për të ndërtuar harmoni dhe shpresë në mesin e njerëzve. Duhet të duam njëri tjetrin dhe çdo krijesë, ashtu siç na ka dashur Krishti ne. Të sjellim dashuri në kohën tonë e cila është plot urrejtje”, tha Imzot Dodë Gjergji.

Urimin për festa të Krishtlindjes e bëri edhe e para e vendit, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

“Krishtlindja është frymëzim që na kujton të gjithëve se përball sfidave duhet të triumfoj shpresa. Ajo na kujton se duhet t’i vlerësojmë njerëzit në jetën tonë, t’ua shprehim mirënjohjen tonë, familjes që na do pa kursim, miqve që na qëndrojnë pran dhe bashkë-kombësve me të cilët na lidh gjaku, gjuha e shpresa. Magjia e Krishtlindjes na bën që sonte të kthejmë vëmendjen ndaj atyre që na qëndrojnë afër edhe ndaj atyre që janë larg me shërbim. Mbi të gjitha ndaj atyre që sot kanë më shumë nevojë për kujdesin tonë”, tha Osmani.

Në këtë pritje solemne nuk mungoi as kryeministri i tanishëm i Kosovës, Albin Kurti.

Ai tha se bija e popullit tonë, Shën Nënë Tereza ishte ajo që e rrezatoi gëzimin edhe në ditët më të pashpresa.

“Premtimi i Jezusit, mbush me shpresë, veçanërisht në kohë të vështira. Bija e popullit tonë, Shën Nënë Tereza ishte ajo që e rrezatoi gëzimin edhe në ditët më të pa shpresa e që me veprat e saj na ftoi në dashuri, përgjegjësi e përkujdes ndaj njëri-tjetrit duke na thënë se Krishtlindje nuk është vetëm një datë, është Krishtlindje çdo herë kur i buzëqesh vëllait dhe e merr për dore, është Krishtlindje çdo herë kur nuk i pranon ato parime që i robërojnë të ndrydhurit në skaje të shoqërisë. Është Krishtlindje çdo herë që shpreson me ata që nuk kanë shpresë në varfërinë fizike e shoqërore”, tha ai.

Krishtlindjen, nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Enver Hoxha po e sheh si festë që bashkon të gjithë shqiptarët.

“Është një ditë e cila i bashkon të gjithë shqiptarët, përtej asaj që kemi fe të ndryshme dhe secili prej nesh e ndjen veten komod, të qoftë a jemi mysliman, të qoftë a jemi të krishter apo besime tjera, Krishtlindjet janë një festë e cila i bashkon shqiptarët që ju takojnë feve dhe besimeve të ndryshme, prandaj edhe unë erdha si nënkryetar i Kuvendit dhe deputet që të jem së bashku me vëllezërit tanë të komunitetit katolik, t’ju dëshirojmë çdo të mirë, njëjtë sikur ata që janë me në për Bajram e për çdo festë”, tha ai.

Në pritjen solemne të kremtimit të Krishtlindjes, në mesin e të ftuarve u pa edhe Mytfiu i Kosovës, Naim Tërnava.

Sonte në mesnatë mbahet mesha solemne e Krishtlindjes e udhëhequr nga Imzot Dodë Gjergji, në Katedralen “Shën Nënë Tereza” në Prishtinë.