Erëra të forta e stuhi bore, SHKSHMK apelon për kujdes në aktivitetet malore
Shërbimi i Kërkim Shpëtimit Malor të Kosovës ka bërë apel për kujdes tek qytetarët që planifikojnë aktivitete malore. Sipas SHKSHMK-së, ky kujdes duhet të bëhet për shkak të ndikimit të stuhive të borës që përcillen me erëra të forta në viset malore. “Duke u bazuar në gjendjen aktuale të shtresimeve të borës dhe ndryshimeve morfologjike…
Lajme
Shërbimi i Kërkim Shpëtimit Malor të Kosovës ka bërë apel për kujdes tek qytetarët që planifikojnë aktivitete malore.
Sipas SHKSHMK-së, ky kujdes duhet të bëhet për shkak të ndikimit të stuhive të borës që përcillen me erëra të forta në viset malore.
“Duke u bazuar në gjendjen aktuale të shtresimeve të borës dhe ndryshimeve morfologjike që kanë ndodhur dhe po zhvillohen gjatë ditës së sotme dhe pritshmërisë për ditët në vazhdim apelojmë për kujdes të shtuar. Faqet malore me orientime gjeografike veri, veri-lindje, veri-perëndim për momentin janë drejtime që janë ndikuar më shumë dhe nuk kanë arritur tranzicion të duhur për stabilizimin e shtresave të borës, por edhe drejtimet e tjera gjeografike mund të paraqesin probleme të ngjajshme. Strehat e borës janë formuar në kreshtat tek të gjitha masivet malore me lartësi mbidetare, evitoni lëvizjen mbi dhe afër tyre”, thuhet në njoftimin e SHKSHMK-së.
Këto janë këshillat nga Shërbimi i Kërkim Shpëtimit Malor të Kosovës:
•Evitoni aktivitetet tuaja në faqe të pjerrëta malore mbi 30°~50°
•Planifikoni itinerarin tuaj në terrene të paekspozuara ndaj rrezikut.
•Lëvizni në itinerare pa kurthe të terrenit.
•Gjatë skijimit kujdes nga gropat rreth drunjëve dhe shkëmbinjëve.
•Mos praktikoni aktivitete të vetmuar
•Posedoni veshmbathje adekuate.
•Mos praktikoni aktivitete pa pajisje të sigurisë.
•Posedoni të gjitha pajisjet e ortekut; transmetuesin, sondën, lopatën.
•Lajmëroni itinerarin e aktivitetit tuaj tek një i afërm i juaj.
•Posedoni pajisje orientimi
•Karikoni telefonin tuaj, dhe ruajeni nga të ftohtit për përdorim në rast urgjence.