Kryetari i Bujanocit i drejtohet Xhelal Sveçlës: Luginasit po gjobiten në kufirin e Kosovës

Kryetari i Komunës së Bujanocit Arbër Pajaziti, është ankuar te ministri i Brendshëm Xhelal Sveçla. Ai ka bërë kërkesë për lehtësira në kalimin e zonave kufitare, siç thotë Pajaziti pas shqetësimit të bashkëqytetarëve me gjobat që po i marrin nga policia me rastin e hyrjes në territorin e Republikës së Kosovës. “Përmes kësaj letre, njëkohësisht…

Lajme

24/12/2024 14:11

Kryetari i Komunës së Bujanocit Arbër Pajaziti, është ankuar te ministri i Brendshëm Xhelal Sveçla.

Ai ka bërë kërkesë për lehtësira në kalimin e zonave kufitare, siç thotë Pajaziti pas shqetësimit të bashkëqytetarëve me gjobat që po i marrin nga policia me rastin e hyrjes në territorin e Republikës së Kosovës.

“Përmes kësaj letre, njëkohësisht dhe kërkese, dua të ndaj shqetësimin e disa bashkëqytetarëve dhe bashkëkombasve tanë me gjobat që po i marrin nga ana e policisë dhe Gjykatës Themelore të Gjilanit, dega në Kamenicë, me rastin e hyrjes në territorin e Republikës së Kosovës”, thuhet në kërkesë.

“Ditëve të fundit, shumë bashkëqytetarët tanë janë ankuar se gjatë kalimit të tyre me vetura përmes zonave kufitare Breznicë-Karaçevë dhe Dobrosin-Pogragjë po gjobiten nga autoritetet kosovare me masën “kalim ilegal i kufirit”, dënim që kap shumën prej 85 euro. “Kërkojmë nga ju që përmes akteve apo formave të posaçme qytetarëve tanë t’ua mundësoni të kalojnë përmes zonave kufitare të sipërpërmendura, pa u konsideruar shkelje, sidomos gjatë periudhës së festave të fundvitit, pushimeve verore dhe vikendeve në pjesët tjerë të vitit”, tha Pajaziti në kërkesën drejtuar Sveçles.