Mjetet piroteknike problem i kryeqytetit, paralajmërohen gjoba për shitësit e paautorizuar
Me afrimin e festave të fund vitit, rritet numri i përdorimit të mjeteve piroteknike. Përdorimi i këtyre mjeteve mbetet si një nga problemet e mëdha në kryeqytet për këtë fundvit. Kështu është deklaruar drejtori i Emergjencave në Komunën e Prishtinës, Lulzim Fushtica duke bërë me dije se do të shqiptohen dënime për shitësit e pa…
Lajme
Me afrimin e festave të fund vitit, rritet numri i përdorimit të mjeteve piroteknike. Përdorimi i këtyre mjeteve mbetet si një nga problemet e mëdha në kryeqytet për këtë fundvit.
Kështu është deklaruar drejtori i Emergjencave në Komunën e Prishtinës, Lulzim Fushtica duke bërë me dije se do të shqiptohen dënime për shitësit e pa autorizuar.
Fushtica bëri me dije se sipas njoftimit të ministrisë së Punëve të Brendshme shitja e mjeteve piroteknike do lejohet nga data 19 dhjetor deri më 1 janar, kurse përdorimi i fishekzjarrëve lejohet nga 26 dhjetori.
“Kjo nuk është diçka e re, nuk është një risi, realisht çështjen e problematikës së përdorimit të fishekzjarrëve dhe përdorimit jo vetëm të paautorizuar, përdorimit joprofesional të fishekzjarrëve ka qenë edhe është një brengë që e ka përcjellur Kosovën e pas luftës e posaçërisht vitet e fundit me rritjen e përdorimit dhe në këtë rast të importit të mjeteve piroteknike. Ne e kemi marr me shumë seriozitet dhe jemi duke përcjell këtë veprimtari. Ne kemi marr njoftim nga Ministria e Punëve të Brendshme, njoftim i cili tregon realisht kur fillon shitja e autorizuar e mjeteve piroteknike, qysh nga data 19 dhjetor ka filluar shitja e autorizuar deri me datën 1 janar dhe kjo përkon edhe me kohën e përdorimit të tyre”, tha ai.
Duke pas parasysh se përgjatë viteve ka pasur mjaft lëndime tek qytetarët nga përdorimi i këtyre mjeteve, drejtori i Emergjencave në Kryeqytet tregon se ekipet emergjente janë të angazhuara çdo ditë.
“Ne kemi pasur edhe viteve të kaluara lëndime të qytetarëve, shkatërrim dhe dëmtim të pronës së qytetarëve si pasojë e përdorimit jo të duhur sipas udhëzimeve të mjeteve piroteknike, dhe si pasojë kemi pasur numër të madh të intervenimeve, si në kryeqytet gjatë ditëve të festave të fund vitit. Këtë vit ne kemi angazhuar dhe kemi bërë plan të angazhojmë ekipet emergjente, si të zjarrfikësve, si të mjekësisë urgjente, po ashtu në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, gjithashtu edhe Inspektorati do ta kryej punën e tyre sa i përket shitjes së tyre të paautorizuar në vendet ku nuk është e autorizuar shitja e tyre. Pra kjo është një sërë e masave që i ka marr kryeqyteti gjatë festave të fund vitit. Prapë mbetet si një problematikë që kryeqyteti e ka”, deklaroi Fushtica.
Në raportin e MPB-së thuhet se “Personi juridik për kundërvajtje dënohet me gjobë në shumë prej pesëmijë (5000) deri pesëmbëdhjetëmijë (15000) Euro nëse: nxjerr eksplozivët në treg apo fillon të përdor eksplozivët para se ministria t’i ketë lëshuar lejen ose prodhon eksplozivë apo fishekzjarrë pas skadimit të afatit të licencës”.
Duke iu referuar këtij raporti, Fushtica tha se inspektorati do ti dënoj shitësit e pa autorizuar.
“Inspektorati e ka marr njoftimin nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe do ta zbatoj këtë vendim. Shitja e tyre në hapësira publike si në sheshe, në vende të paautorizuara ku rrezikohet edhe siguria publike nuk do të jetë e lejuar dhe inspektorati do të gjobis dhe do të dënoj këta shitës që janë në mënyrë të paautorizuar”, tha ai.
Fushtica ka apeluar prindërit që të kenë kujdes ndaj fëmijëve të tyre e poashtu edhe bizneset të mos u shesin të miturve mjete piroteknike duke shpjeguar se përdorimi i parregullt i mjeteve piroteknike, mund të shkaktoj dhe humbje jete.
“Lusim prindërit që të jenë të kujdesshëm në përdorimin e tyre, që mos ti lejojnë fëmijët ti përdorin sepse ata nuk dinë ti përdorin në mënyrë profesionale dhe si pasojë kemi lëndime të mëdha që mund të pasojnë fëmijët dhe mund realisht të shkoj deri tek humbja e një jete për arsye sepse janë mjete të rrezikshme nëse nuk përdoren sipas udhëzimeve që janë të paracaktuara. Është shumë e rëndësishme që prindërit të jenë të kujdesshëm, që edhe nëse blejnë mjete piroteknike që ti përdorin në mënyrë sipas udhëzimeve. Ne shohim nëpër qytet se vetëm ka filluar përdorimi i tyre, jo si në vitet e kaluara dhe për fat të keq kemi numër të madh të fëmijëve që i përdorin në mënyrë jo profesionale dhe mund të kemi lëndime serioze dhe dëmtim të pronës publike dhe asaj private si pasoj e përdorimit të tyre”, tha Fushtica.
Të gjithë qytetarët që hasin në shitjen e paautorizuar të këtyre mjeteve, ose shitjen e tyre ndaj të miturve, drejtori kërkon që të raportohet në numrat emergjent si në Qendrën Operative Emergjente në numrin 0800 122 33 apo 0800 122 44, në Brigadën e Zjarrfikësve më numrin 193 apo Policinë e Kosovës 192.