Ismet Bahtijari bën marrëveshje për pranimin e fajësisë
Në marrëveshjen për pranimin e fajësisë të publikuar sot, Ismet Bahtijari pranon fajësinë për një akuzë për pengim dhe një akuzë për frikësim. Dhomat e Specializuara në njoftim thonë se kjo vjen pas marrëveshjeve të ngjashme për pranimin e fajësisë të publikuara dje, ku dy të pandehurit e tjerë në çështjen gjyqësore gjithashtu pranuan fajësinë…
Lajme
Në marrëveshjen për pranimin e fajësisë të publikuar sot, Ismet Bahtijari pranon fajësinë për një akuzë për pengim dhe një akuzë për frikësim.
Dhomat e Specializuara në njoftim thonë se kjo vjen pas marrëveshjeve të ngjashme për pranimin e fajësisë të publikuara dje, ku dy të pandehurit e tjerë në çështjen gjyqësore gjithashtu pranuan fajësinë lidhur me këto akuza.
“Marrëveshja për pranimin e fajësisë bazohet në “faktet e pranuara”, me çka Bahtijari pranon se disa fakte të paraqitura në aktakuzë do të vërtetoheshin jashtë dyshimit të arsyeshëm dhe janë të vërteta dhe sakta”, thuhet në njoftim.
Rregullorja e Procedurës dhe e Provave para Dhomave të Specializuara të Kosovës lejon që Prokurori i Specializuar dhe Mbrojtja të arrijnë marrëveshje për pranimin e fajësisë, e cila duhet të miratohet nga Trupi Gjykues para se të hyjë në fuqi. Trupi Gjykues është duke shqyrtuar aktualisht marrëveshjet për pranimin e fajësisë në këtë çështje gjyqësore.
Ismet Bahtijari u arrestua së bashku me Sabit Januzin më 5 tetor në Kosovë dhe u transferuan në Objektin e Paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës më 6 tetor 2023. Në paraqitjen e tyre të parë më 9 tetor 2023 të dy të akuzuarit u vetëdeklaruan të pafajshëm në lidhje me të gjitha pikat e aktakuzës.
Më 13 dhjetor 2023, ZPS-ja dorëzoi kërkesë për bashkimin e çështjes kundër Januzit dhe Bahtijarit me çështjen kundër Haxhi Shalës, i cili u arrestua më 11 dhjetor 2023 në Kosovë.
Në paraqitjen e tij të parë më 13 dhjetor 2023, Shala nuk u deklarua në lidhje me fajësinë ose pafajësinë. Në paraqitjen e mëtejshme më 15 dhjetor 2023, ai u vetëdeklarua i pafajshëm për të gjitha akuzat.
Më 8 shkurt 2024, Gjykatësi i Procedurës Paraprake miratoi kërkesën e ZPS-së për bashkimin e dy çështjeve dhe vendosi që çështja e përbashkët do të quhet Prokurori i Specializuar kundër Sabit Januzit, Ismet Bahtijarit dhe Haxhi Shalës.
Më 16 shkurt 2024, ZPS-ja dorëzoi, si konfidenciale, dosjen e vet paraprake në çështjen e përbashkët, ndërsa versioni i redaktuar publik u dorëzua më 3 korrik 2024. Mbrojtja e Bahtijarit e dorëzoi dosjen paraprake më 19 qershor 2024, pasuar nga mbrojtja e Haxhi Shalës dhe ajo e Januzit më 2 shtator 2024.
Versionet konfidenciale të dosjeve paraprake të përditësuara dhe më tej të përditësuara u dorëzuan më 19 gusht dhe më 2 shtator 2024. Versioni publik i redaktuar i dosjes paraprake të Shalës u dorëzua më 2 tetor 2024. Më 21 tetor 2024, Bahtijari dorëzoi versionin e redaktuar publik të dosjes së tij paraprake të përditësuar.
Paraqitja e mëtejshme e Januzit dhe Bahtijarit u mbajt më 12 korrik 2024. Të dy të akuzuarit u vetëdeklaruan të pafajshëm lidhur me akuzën e re ndaj tyre në aktakuzën e përbashkët të ndryshuar.
Gjykatësja e Procedurës Paraprake fillimisht caktoi 21 qershorin 2024 si datë për kalimin e dosjes së çështjes te Trupi Gjykues por më vonë e ndryshoi atë në 5 dhe 22 korrik 2024.
Megjithatë, më 12 korrik 2024, Gjykatësja e Procedurës Paraprake e anuloi datën e planifikuar më parë.
Më 23 korrik 2024, gjykatësja përcaktoi se dosja e çështjes do t’i kalohet Trupit Gjykues dy ditë pas dorëzimit të dosjeve paraprake të Mbrojtjes, në qoftë se kanë, ose pas skadimit të afatit përkatës. Më 4 shtator 2024, Gjykatësja e Procedurës Paraprake ia kaloi dosjen e çështjes Trupit Gjykues I.
Konferencat përgatitore për gjykimin u mbajtën më 7 dhe 8 tetor 2024. Deklaratat hyrëse fillimisht u caktuan për 14 dhe 15 nëntor 2024, por më 12 nëntor 2024, Trupi Gjykues vendosi që këto seanca të mos mbahen, duke lënë datën e fillimit të gjykimit aktualisht në pritje.