Ndërtuesit: Vitin e ardhshëm rriten çmimet e banesave, shkak ikja e punëtorëve

Mungesa e fuqisë punëtore, ngritja e çmimit të materialit ndërtimor, poashtu ngritja e çmimit të tokave me koncesion janë arsyet që, sipas ndërtuesve, po çojnë në rritje të çmimit të ndërtesave. Ndërtuesit po paralajmërojnë rritje të çmimit të ndërtesave për vitin që po vjen. Kjo për shkak se siç tha ndërtuesi Shefqet Pozhegu nga Shoqata…

Lajme

15/12/2024 17:09

Mungesa e fuqisë punëtore, ngritja e çmimit të materialit ndërtimor, poashtu ngritja e çmimit të tokave me koncesion janë arsyet që, sipas ndërtuesve, po çojnë në rritje të çmimit të ndërtesave.

Ndërtuesit po paralajmërojnë rritje të çmimit të ndërtesave për vitin që po vjen. Kjo për shkak se siç tha ndërtuesi Shefqet Pozhegu nga Shoqata e Ndërtuesve, janë duke pasur mungesë të fuqisë punëtore dhe ngritje të çmimeve të materialit ndërtimor.

Arsye është edhe rritja e çmimit të tokës me koncesion, tha Pozhegu për Radio Kosovën.

“Nuk do të ketë zbritje të çmimit për ndërtesa, por do të ketë vetëm rritje të çmimit, për shkak të mungesës së fuqisë punëtore në Kosovë. Poashtu edhe çmimet e materialeve janë në ngritje e sipër e poashtu edhe tokat që ne i marrim me koncesion ose përqindje edhe aty ka rritje të çmimeve. Janë këto dy a tre faktorë që na shtyjnë rreth ngritjes së çmimeve. Problemi është te fuqia punëtore sepse, nëse ka ngritje të pagave, fuqia punëtore rri e nëse s’ka rritje të pagave, atëherë ata ikin në Evropë”, tha ai.

Ai tha se çmimi i metrit katror për momentin është 1350 euro deri në 1450 euro, varësisht nga zonat. Edhe kryetari i Shoqatës së Ndërtimtarëve, Faton Hoxha, i tha Radio Kosovës se çmimet do të varen nga kosto e punës dhe e materialit. Ai tha se në mars do të shihen ndryshimet.

“Rritja ose ulja e çmimeve varet nga çmimet e materialeve dhe kostos së punës, e cila është në ngritje. Poashtu koncesioni për tokën ka shkuar në nivele shumë të larta. Të shohim se si po fillon viti dhe deri nga marsi mund ta dimë se si po shkojnë punët”, ka thënë ai.
Në publikimin e Agjencisë së Statistikave të Kosovës, Indeksi i tërësishëm i Kostos së Ndërtimit në Kosovë pati rritje për 0.9% në tre mujorin e tretë të vitit 2024, krahasuar me tre mujorin e dytë të po këtij viti.

Ndërkaq, krahasuar TM3 2024 me të njëjtën periudhë të vitit paraprak TM3 2023, Indeksi i Kostos së Ndërtimit pati rritje për 4.5%.

Rritje kishte te energjia (20%), pagat (1.3%), materialet (0.7%), makineritë (0.4%) dhe kostot e tjera (0.2%), sipas ASK-së.