Dërgimi i 16 ligjeve në Kushtetuese nga PDK, Kusari-Lila: Po e bëjnë për të mbrojtur interesa personale dhe grupore

Pas dorëzimit nga PDK-ja të 16 ligjeve për interpretim në Gjykatën Kushtetuese, shefja e Grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje Mimoza Kusari-Lila tha se kjo po bëhet me qëllim për mbrojtjen e interesave të tyre. Ajo në një konferencë për media tha se Kuvendi nuk ka bërë shkelje ligjore me miratimin e ligjeve me procedurë të…

Lajme

13/12/2024 15:49

Pas dorëzimit nga PDK-ja të 16 ligjeve për interpretim në Gjykatën Kushtetuese, shefja e Grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje Mimoza Kusari-Lila tha se kjo po bëhet me qëllim për mbrojtjen e interesave të tyre.

Ajo në një konferencë për media tha se Kuvendi nuk ka bërë shkelje ligjore me miratimin e ligjeve me procedurë të përshpejtuar.

Kusari-Lila ka “treguar” edhe arsyet e dërgimit të ligjeve në Kushtetuese nga partia më e madhe opozitare.

“Pamë se kjo parti është pozicionuar qartë kundër qytetarëve të Kosovës. Ata çfarë kanë përvetësuar kundërligjshëm duan ta mbrojnë. Prapa çdo ligji, ruhet një interes. Dy herë e kanë kontestuar Këshillin Prokurorial, sepse donin të mbronin njerëzit brenda këshillit. Gjithashtu tashmë e kontestuar Ligjin për Byronë, sepse janë të vetëdijshëm qe kjo pasuri nuk mund të justifikohet”, deklaroi ajo.

Ajo shtoi se LVV ka bërë dërgimin e ligjeve në Gjykatën e Kushtetuese për të parandaluar një të keqe për vendi.

Ndryshe, PDK ka proceduar në Kushtetuese ligjet e miratuara në seancën maratonike të Kuvendit të Kosovës më 5 dhjetor.

Në një konferencë për media shefi i Grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri tha se kishin paralajmëruar t’i dërgojnë 20 projektligje në Kushtetuese, por në konsultim me ekspertët kanë proceduar 16 prej tyre.

Ai ka thënë se ligji i cili është i kontestuar në këtë rast edhe Ligji për Byronë Shtetërore për Verifikim dhe Konfiskimin e Pasurisë së Paluajtshme.

Ndërsa ka thënë se projektligjet tjera që i kanë dorëzuar sot për procedurë në Gjykatën Kushtetuese janë: Ligji për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për kontabilitet, raportim financiar dhe auditim, ligji për bankat, ligji për inspektoratin qendror për mbikëqyrjen e tregut, ligji për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për parandalimin e pastrimit të parave, luftimin e financimit të terrorizimit, ligji për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për prokurori speciale, ligji për shërbimet e pagesave, ligji për provimin e maturës shtetërore, ligji për lojërat mesdhetare Prishtina 2030.