lajmi.net

Sulmi terrorist në veri temë diskutimi në takimin Maqedonci – Sprūds

Ministri i i Mbrojtjes ka njoftuar Letoninë nga afër me zhvillimet rreth situatës në veri, pas sulmit terrorist të 29 nëntorit ku u sulmua kanali i ujit të Ibër-Lepencit. Më zhvillimet në këtë pjesë të vendit e njoftoi nikoqiri i takimit, ministri i Mbrojtjes Ejup Maqedonci, që sot homologun nga Letonia e priti me ceremoni…

Lajme

12/12/2024 16:49

Kjo u bë e ditur përmes një komunikate për media që lëshoi kjo ministri pas takimit, meqë nuk pati deklarime për media.

“Ministri Maqedonci e njoftoi homologun e tij rreth gjendjes në veri të vendit, pas sulmit terrorist në kanalin e ujit të Ibër-Lepencit, në fshatin Varagë të Zubin Potokut, si dhe rrezikun e përhershëm që Serbia paraqet për sigurinë e Ballkanit Perëndimor, si shteti i vetëm që vazhdon të ruajë lidhje të afërta me Rusinë”, thuhet në njoftim.

Bëhet e ditur se të dy ministrat theksuan dhe rëndësinë e shkëmbimit të përvojave në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, mbrojtjes totale, bashkëpunimit në avancimin e interesave të përbashkëta dhe promovimin e vlerave që Kosova dhe Letonia ndajnë përballë rreziqeve nga sistemet autokratike.

Maqedonci e ka falënderuar homologun e tij për mbështetjen që Letonia i ka ofruar Republikës së Kosovës në anëtarësimin në organizata ndërkombëtare.

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, vizita e ministrit Sprūds shënon një hap tjetër të rëndësishëm në thellimin e marrëdhënieve miqësore dhe bashkëpunimit midis Kosovës dhe Letonisë, duke reflektuar angazhimin e ndërsjellë për sigurinë dhe zhvillimin e qëndrueshëm.

LM