Sulmi terrorist në veri, Ibishi: Kjo ndodh vetëm në vendet ku zhvillohet lufta
Sulmi terrorist ndaj infrastrukturës kritike të Kosovës është i ngjashëm me të tillë që ndodhin në vende ku zhvillohet luftë, thotë njohësi i çështjeve të sigurisë, Nuredin Ibishi. Kanali i ujit të Ibër-Lepencit në fshatin Varagë të komunës së Zubin Potokut, u dëmtua mbrëmjen e 29 nëntorit pas një shpërthimi të madh. Bëhet fjalë për…
Lajme
Sulmi terrorist ndaj infrastrukturës kritike të Kosovës është i ngjashëm me të tillë që ndodhin në vende ku zhvillohet luftë, thotë njohësi i çështjeve të sigurisë, Nuredin Ibishi.
Kanali i ujit të Ibër-Lepencit në fshatin Varagë të komunës së Zubin Potokut, u dëmtua mbrëmjen e 29 nëntorit pas një shpërthimi të madh. Bëhet fjalë për 15 kilogramë eksploziv.
Autoritetet e Kosovës thanë se sulmi në pjesën veriore të Kosovës është kriminal dhe vjen nga bandat e orkestruara prej Beogradit.
“Situata është stabile, por normal e brishtë në kuptimin e asaj për shkak vet akteve terroriste, në rastin e fundit, shkatërrimit me mjete eksplozive, të kanalit që furnizon edhe me ujë të pijshëm, edhe për ftohjen e sistemit të termocentraleve Kosova A dhe B, dhe kjo realisht ka ngritur një shqetësim dhe ka marrë përmasa edhe të opinioneve ndërkombëtare..00:50 Është diçka çka ndodh vetëm në vendet ku zhvillohet lufta, në kuptim si asaj që është lufta, agresioni rus në Ukrainë, duke e shkatërruar infrastrukturën kritike, që është jetike për jetën qytetarëve, nga uji i pijshëm dhe furnizimi me energji elektrike dhe nga ngrohja”, ka thënë Ibishi.
Prej Ibër-Lepencit furnizohen me ujë nga Liqeni i Ujmanit disa qytete të Kosovës, gjithashtu Koorporata Energjetike e Kosovës.
Kryeministri Albin Kurti tha se sulmi ka pasur synim dëmtimin e infrastrukturës “mbase edhe më të rëndësishmen që kemi”.
Një sulm tjetër terrorist ndodhi shtatorin e vitit të kaluar në Banjskë të Zveçanit.
Aty nga terroristët serb u sulmua Policia e Kosovës dhe mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku.
Eksperti i sigurisë, Nuredin Ibishi thotë se ka qenë e pritshme që këto grupe të ndryshojnë taktikat dhe metodologjinë e veprimit nga sulmet e vitit të kaluar.
Pas sulmit të 29 nëntorit, autoritetet e Kosovës zhvilluan disa operacione ku gjetën arsenal armësh, uniforma e pajisje ushtarake.
Sipas Ibishit, furnizimet me këto janë bërë më herët.
“E kam pritur që ata do të ndërrojnë edhe taktikat dhe metodologjinë e veprimit, nga ai grupi terrorist në krye me Radoiçiq, nga nëntori vitit kaluar, dhe po atakojnë infrastrukturën kritike..Ato kanë qenë të punuara më herët, dhe kudo që kërkon pjesën veriore i kanë furnizuar me kohë, dhe ajo veç është pritur se do të gjendet në çdo bastisje gati në veri. Ata, me kohë i kanë furnizuar me uniforma, pajisje luftarake, armatim, municione”, ka theksuar ai.
Pas sulmit në Ibër-Lepenc, Policia e Kosovës ka arrestuar dhjetë persona të dyshuar.