Thirrje për bashkëpunim kombëtar: Platformë e përbashkët për interesat strategjike

Një grup veprimtarësh të pavarur dhe apartiakë nga të gjitha trojet shqiptare dhe diaspora kanë dërguar një letër të hapur udhëheqësve shqiptarë në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni të Veriut, Mal të Zi dhe Luginë të Preshevës. Në këtë letër, ata kërkojnë ndërmarrjen e veprimeve të koordinuara për të adresuar sfidat e reja politike dhe ekonomike që…

Lajme

02/12/2024 15:12

Një grup veprimtarësh të pavarur dhe apartiakë nga të gjitha trojet shqiptare dhe diaspora kanë dërguar një letër të hapur udhëheqësve shqiptarë në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni të Veriut, Mal të Zi dhe Luginë të Preshevës. Në këtë letër, ata kërkojnë ndërmarrjen e veprimeve të koordinuara për të adresuar sfidat e reja politike dhe ekonomike që po prekin rajonin.

Në letër theksohet mes tjerash se konteksti i ri gjeopolitik ka pasoja të drejtpërdrejta për stabilitetin politik dhe zhvillimin në Evropën Juglindore. Përballë këtyre sfidave, është thelbësore që përfaqësuesit shqiptarë të zhvillojnë një strategji të përbashkët për të mbrojtur dhe avancuar interesat kombëtare, thuhet më tej në letër.

“Të nënshkruarit propozojnë krijimin e një platforme të përbashkët kombëtare, ku përfaqësues legjitimë nga të gjitha viset shqiptare duhet të identifikojnë interesat dhe prioritetet strategjike, duke ndërtuar një qasje të unifikuar për t’iu përgjigjur sfidave globale. Ata theksojnë rëndësinë e prezantimit të këtyre qëndrimeve dhe prioriteteve në mënyrë proaktive para administratës së re amerikane, me qëllim përfaqësimin e interesave shqiptare në rendin e ri global”, thuhet në letrën për thirrje për bashkëpunim kombëtar, të nënshkruar nga Ana Cenaj avokate në ShBA, Blerim Rexha profesor universitar në Kosovë, Lindita Komani shkrimtare e studiuese në Shqipëri dhe disa të tjerë që vijojnë më poshtë.

Letra e plotë i është dërguar presidentit të Shqipërisë, Bajram Begaj, kryetares së Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali, kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama. Po ashtu presidentes së Kosovës, Vjosa Osmanit, kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca si dhe kryetarëve të partive politike shqiptare të përfaqësuara në Parlamentet e Republikës së Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë Veriore, Malit të Zi dhe Serbisë.

Letra e plotë dhe lista e nënshkruesve:

Presidentit të Republikës së Shqipërisë, z. Bajram Begaj,

Kryetares së Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, znj. Elisa Spiropali,

Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë, z. Edi Rama,

Presidentes së Republikës së Kosovës, znj. Vjosa Osmani-Sadriu,

Kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, z. Glauk Konjufca,

Kryeministrit të Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti,

Kryetarëve të partive politike shqiptare të përfaqësuara në Parlamentet e Republikës së Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë Veriore, Malit të Zi dhe Serbisë.

1 dhjetor 2024

Të nderuar përfaqësues të popullit shqiptar,

Konfliktet aktuale në Ukrainë dhe Lindjen e Mesme, forcimi i shteteve BRICS, tensionet në skenën politike të Bashkimit Evropian, sidomos në Gjermani dhe Francë, si dhe rivaliteti midis Shteteve të Bashkuara dhe Kinës, po e ndryshojnë me shpejtësi rendin gjeopolitik global. Kthimi i Presidentit Trump në Shtëpinë e Bardhë, do të intensifikojë këto dinamika, duke sjellë ndryshime të thella në mënyrën se si ndërveprojnë shtetet dhe institucionet ndërkombëtare.

Ky kontekst i ri ka pasoja të drejtpërdrejta për stabilitetin politik dhe zhvillimin në Evropën Juglindore, përfshirë Shqipërinë, Kosovën, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi dhe Luginën e Preshevës. Përballë këtyre sfidave, është thelbësore që përfaqësuesit shqiptarë nga këto troje të zhvillojnë një strategji të përbashkët për të mbrojtur dhe avancuar interesat kombëtare.

Në këtë frymë:

1. propozojmë krijimin e një platforme të përbashkët kombëtare, të përbërë nga përfaqësues legjitimë nga të gjitha trojet shqiptare, e cila do të identifikojë interesat dhe prioritetet strategjike shqiptare, duke ndërtuar një qasje koherente dhe të unifikuar për t’iu përgjigjur sfidave globale.

2. Ju ftojmë që këto qëndrime dhe prioritete t’i prezentoni në mënyrë proaktive para administratës së re amerikane, përfshirë Presidentin Trump, duke siguruar që zëri dhe interesat tona të jenë të përfaqësuara denjësisht në këtë rend të ri global.

Me respekt,

Sipas rendit alfabetik:

Ana Cenaj, Avokate, ShBA

Albulenë Halili, profesoreshë universitare, Maqedoni e Veriut

Besir Bajrami, publicist, Maqedoni e Veriut

Blerim Rexha, profesor universitar, Kosovë

Bleron Baraliu, veprimtar, ShBA

Daut Dauti, historian / shkrimtar, Britani e Madhe

Eglantina Kica, stomatologe, ShBA

Esat Gjonbalaj, veprimtar, ShBA

Gino Mulliqi, asambleist, Teksas, ShBA

Jusuf Thaqi, ekspert i arsimit, Kosovë

Kujtim Dobruna, ekonomist, Zvicër

Leart Ajvazaj, matematikan, Kosovë

Lindita Komani, shkrimtare / studiuese, Shqipëri

Shaqir Gjokaj, veprimtar , ShBA

Uk Lushi, investitor, ShBA