Arrestohet edhe një person i dyshimtë për sulmin në “Ibër Lepenc”, sekuestrohen armë, uniforma ushtarake e dokumente
Policia e Kosovës ka njoftuar se mbrëmjen e 1 dhjetorit ka arrestuar një person të dyshimtë për sulmin e 29 nëntorit në kanalin e Ibër-Lepencit. Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, të dyshuarit me inicialet J.V, me urdhër të Prokurorit të Prokurorisë Speciale i është caktuara masa e ndalimit policor prej 48 orësh, raporton lajmi.net.…
Lajme
Policia e Kosovës ka njoftuar se mbrëmjen e 1 dhjetorit ka arrestuar një person të dyshimtë për sulmin e 29 nëntorit në kanalin e Ibër-Lepencit.
Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, të dyshuarit me inicialet J.V, me urdhër të Prokurorit të Prokurorisë Speciale i është caktuara masa e ndalimit policor prej 48 orësh, raporton lajmi.net.
“Policia e Kosovës pas sulmeve kriminale terroriste të ndodhura në veri të vendit, me 26.11.2024 sulmi ndaj stacionit të policisë në Zveçan, me 28.11.2024 sulmi ndaj objektit të komunës në Zveçan, si dhe sulmi i fundit me datën 29.11.2024 ndaj infrastrukturës kritike në kanalin e ujit Ibër Lepenci, ka vazhduar me realizmin e detyrave dhe autorizimeve të saja kushtetuese dhe ligjore, duke aplikuar masa shtesë në interes të parandalimit të akteve të tilla kriminale, ruajtjes së rendit dhe qetësisë publike si dhe ofrimit të sigurisë ndaj të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës pa dallim.Me këtë rast Policia e Kosovës ka njoftuar se mbrëmë është arrestuar edhe një person i dyshimtë.Në vazhdimësi të hetimeve lidhur me rastin e sulmit terrorist ndaj infrastrukturës kritike, por edhe rasteve paraprake, nga njësitë relevante hetimore, në bashkëpunim edhe me njësitë tjera policore, me datën 01/12/2024 në orët e mbrëmjes, është arrestuar edhe një i dyshuar (J.V.), nën dyshimin që mund të ketë patur rol të rëndësishëm në kuadër të grupit përgjegjës për rastin e sulmit terrorist ndaj infrastrukturës kritike”, thuhet në njoftim.
Situata e sigurisë në veri të vendit aktualisht vlerësohet e qetë, por siç e kemi bërë të ditur në vazhdimësi është një situatë e brishtë, e përcjellë me raste të natyrave të ndryshme kriminale, si rasti i fundit i sulmit kriminal terrorist i ndodhur ndaj infrastrukturës kritike në kanalin e ujit, dhe për këtë vazhdojnë masat shtesë të PK-së.
Në bashkëpunim dhe koordinim të plotë me Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, është zbatuar kontrolli në shtëpinë ku banonte i dyshuari, me ç’rast janë sekuestruar dëshmi dhe prova materiale, si më poshtë:
• Katër (4) Granata dore
• Një (1) Pushkë Gjuetie
• Mbi 500 copë municion të kalibrave të ndryshëm
• Dy (2) Karikatorë të armës automatike AK-47
• Një (1) karikatorë i pushkës së gjatë
• Një (1) Radiolidhje
• Një (1) pale dylbi
• Një (1) kamerë kamufluese
• Uniforma ushtarake dhe
• Dokumente të ndryshme
“Me urdhër të Prokurorit përgjegjës të Prokurorisë Speciale, të dyshuarit i është caktuar masa e ndalimit policor prej 48 orëve”,thuhet në njoftim.
Policia e Kosovës, mbetet e përkushtuar që të angazhohet në zbardhjen e plotë të rastit dhe vënien e personave përgjegjës para drejtësisë. Njëherit Policia e Kosovës iu bën thirrje të gjithë qytetarëve që të bashkëpunojnë me Policinë e Kosovës, me qëllim të ofrimit të sigurisë ndaj të gjithë qytetarëve pa dallim./Lajmi.net/