Pamje nga Zubin Potoku: Në vend të tubave u vendos kontejner, po vazhdojnë punimet për t’u sanuar rrjedhja e ujit
Situata e sigurisë në veri të vendit gjatë ditëve të fundit nuk ka qenë aspak e qetë. Natën e 29 nëntorit një sulm i fuqishëm u raportua të ketë ndodhur në fshatin Varagë të Zubin Potokut. Ky sulm u krye në kanalin e “Ibër Lepencit” në Zubin Potok. Sulmi në fjalë është kryer me lëndë…
Lajme
Situata e sigurisë në veri të vendit gjatë ditëve të fundit nuk ka qenë aspak e qetë.
Natën e 29 nëntorit një sulm i fuqishëm u raportua të ketë ndodhur në fshatin Varagë të Zubin Potokut.
Ky sulm u krye në kanalin e “Ibër Lepencit” në Zubin Potok.
Sulmi në fjalë është kryer me lëndë shpërthyese e që sipas Policisë së Kosovës ishin deri në 20 kilogramë. Ky sulm ishte i treti me radhë që u raportua brenda 48 orëve asokohe. Dy sulmet e para u raportuan në objektet e komunës së Zubin Potokut, ku u shkaktuan dëme të shumta.
Por sulmi në “Ibër Lepenc” shkaktoi dëme në gjithë territorin.
Kanali “Ibër-Lepenc” që u sulmua të premten furnizon me ujë nga Liqeni i Ujmanit gjithë veriun e Kosovës, rajonit e Mitrovicës, Prishtinën me rrethinë si dhe Korporatën Energjetike të Kosovës, për ftohjen e termoelektranave të saj.
Ky sulm përpos që paraqiti rrezik të madh për sigurinë e secilit qytetar, shkaktoi edhe dëme të mëdha infrastrukturore në kuadër të ujit në “Ibër Lepenc”.
Ministrja e Ekonomisë, Artan Rizvanolli sot njoftoi se në vend të tubave, në kanalin e sulmuar me eksploziv është vendosur një kontejner, pasi që ka qenë e domosdoshme të bëhet zgjidhje e re inxhinierike.
Po ashtu ministrja deklaroi se sot mund të ketë ndërprerje të furnizimit me ujë të në disa zona.
Në disa pamje të siguruara sot nga lajmi.net kuptohet se aty është duke vazhduar angazhimi i ekipeve të shumta për sanimin e dëmeve. Pavarësisht intervenimeve të vazhdueshme raportohet se ende ka rrjedhje e të ujit jashtë kanalit, por që punët po kryhen që të sanohet i gjithë problemi.
Në lidhje me këtë sulm, autoritetet e Kosovës kanë ndaluar fillimisht tetë të dyshuar lidhur me këtë sulm dhe kanë kryer bastisje në pjesën veriore të vendit.
Gjykata Themelore në Prishtinë ka bërë të ditur të dielën se të pandehurit D.V ia ka caktuar masën e paraburgimit prej 1 muaji nën dyshimet se ka kryer veprën penale, rrezikimi i rendit kushtetues me shkatërrimin apo dëmtimin e instalimeve dhe pajisjeve publike.
Ky sulm është dënuar fuqishëm edhe nga autoritetet ndërkombëtare. Ambasadori amerikan, Jeffrey Hovenier deklaroi sot se po bashkëpunojnë me institucionet e Kosovës në lidhje me hetimin e këtij rasti.
Ai e quajti këtë sulm si i “tmerrshëm”, duke thënë se është ende herët të dihet fajtori në këtë fazë, por se s’mund të përjashtohet asnjë grup apo shtet.
Kurse i dërguari i Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav, ka thënë se zyrtarët më të lartë të BE-së e kanë bërë të qartë qëndrimin e tyre për këtë rast, si referencë për deklaratën e bllokut evropian, i cili e ka konsideruar sulmin si terrorist dhe sabotues./Lajmi.net/