Sulmi në kanalin e ujit në Zubin Potok, Vuçiq nesër mban konferencë për media

Reagimet e pareshtura dhe arrestimi i serbëve në veri të vendit nuk qenë bindje e fortë për presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, për ta pranuar se Serbia mund të ketë lidhje me sulmin e mbrëmshëm në kanalin e ujit në Zubin Potok. Ai madje së fundi paralajmëroi një konferencë për media për ditën e nesërme në…

Lajme

30/11/2024 21:27

Reagimet e pareshtura dhe arrestimi i serbëve në veri të vendit nuk qenë bindje e fortë për presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, për ta pranuar se Serbia mund të ketë lidhje me sulmin e mbrëmshëm në kanalin e ujit në Zubin Potok.

Ai madje së fundi paralajmëroi një konferencë për media për ditën e nesërme në orën 11:00, siç duket për ta „sqaruar“ këtë.

Ai përmes një shkrimi në Instagram njoftoi se do të flasë për shpërthimin në kanalin e ujit në Zubin Potok si dhe për veprimet e Policisë së Kosovës, ku sot kanë kryer bastisje në veri të vendit duke arrestuar 8 persona, e konfiskuar armatim e municion.

“Nesër në orën 11:00 do t’u drejtohem qytetarëve, por edhe opinionit ndërkombëtar, dhe do të shpjegoj saktësisht se kujt dhe pse i është dashur ky incident në komunën e Zubin Potokut, pse Kurti dhe Sveçla kanë pasur nevojë të gënjejnë shumë dhe me nervozizëm. Gjithashtu, do të ngre pyetje të shumta për përfaqësuesit e komunitetit ndërkombëtar dhe do të kërkoj përgjigje konkrete. Me gënjeshtra nuk do ta thyejnë Serbinë,” shkroi Vuçiq.