​“Zëri i UÇK-së” edhe këtë përvjetor në sallën e gjyqit, së shpejti sjell ekspozitë nga Haga

Njëzeteshtatë vjet më parë e lexoi fjalimin që hyri në histori, sot është i ulur në sallën e gjyqit – i akuzuar për krime të pretenduara të luftës. “Lufta jonë e shenjtë do të zhvillohet deri në çlirim”, thuhej në deklaratën e UÇK-së të cilën popullit ia kumtoi Rexhep Selimi në daljen e parë publike…

Lajme

28/11/2024 11:20

Njëzeteshtatë vjet më parë e lexoi fjalimin që hyri në histori, sot është i ulur në sallën e gjyqit – i akuzuar për krime të pretenduara të luftës.

“Lufta jonë e shenjtë do të zhvillohet deri në çlirim”, thuhej në deklaratën e UÇK-së të cilën popullit ia kumtoi Rexhep Selimi në daljen e parë publike të ushtrisë së atëhershme çlirimtare.

Atëbotë, Selimi bashkë me dy shokët e luftës, Daut Haradinajn dhe heroin Mujë Krasniqi i treguan botës për përpjekjet e shqiptarëve për liri e pavarësi.

Sot kur shqiptarët shënojnë nëntorin e festave, ish-krerët e UÇK-së ndodhen në një proces të stërzgjatur gjyqësor. Ata po qëndrojnë në paraburgim prej nëntorit të vitit 2020.

Në secilën seancë gjyqësore, Rexhep Selimi përmes pikturës shfaq emocionet e tij.

Në përvjetorin e ardhshëm pritet një ekspozitë me krijimtarinë e tij nga koha e gjyqit, e që përkon me numrin e seancave të mbajtura deri më tani.

Detajet për këto i tregon, bashkëshortja dhe bashkëluftëtarja e Rexhep Selimit, Shqipja.

“Ai [Rexha] me mendje është gjithmonë në Kosovë, me mendje te dalja publike, tek festimi i Festës së Flamurit. Pra, me mendje është gjithmonë me Kosovën, me Shqipërinë, me kombin tonë. Nuk mund të mposhten aty. Është pak emocion, pra ata do të kalojnë aty, do të triumfojnë ndaj kësaj padrejtësie sepse ata janë forcë nga atje edhe tash për kosovarët, për kombin, për shqiptarët”, shprehet ajo.

Ajo tregon detaje për krijimtarinë artistike të Rexhep Selimi.

“Komunikimet i kemi të përditshme dhe gjithçka çka ndodhë në Kosovë, ata janë në rrjedha edhe atje sepse kanë komunikim me familjarë, me shoqëri, i shohin edhe televizionet e Kosovës. Çdo gëzim i joni këtu është gëzim edhe për ata atje. Çdo hidhërim, mërzi e jona këtu ndikon edhe tek ata atje. Rexha është i fortë si gjithmonë, nuk dorëzohet. Është në proces të krijimtarisë së tij artistike, merret me poezi, shkruan ese, pikturon, vizaton. Bile së fundmi tash po mendojmë që ta bëjmë edhe një ekspozitë tjetër me vizatimet e tij që i mban gjatë seancave gjyqësore. Po e jap këtë si ekskluzivitet për juve, megjithëse jemi ende në përgatitje e sipër por besoj që do ta kemi një ekspozitë shumë interesante. Edhe pse ai nuk është prezent këtu, do të jetë prezent me krijimtarinë e tij që ne të shohim dhe përjetojmë ato emocione që ai i ka në seancë”, shton ajo.

E gjithë kjo krijimtari e ish-pjesëtarit të UÇK-së, pritet që të ekspozohet në nëntor të vitit të ardhshëm.

“Vetëm mendoje se sa seanca janë mbajtur atje, sa ditë të seancave, për çdo ditë nga një vizatim, llogarite se sa mund të dalin. Pra, tash bëhen dy vite që ka filluar aty procesi gjyqësor. Por do të shkurtojmë edhe numrin e tyre sepse janë të mjaftueshme”, tregon Selimi-Mehmeti.

Dy vjet më parë, ish-luftëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Rexhep Selimi dërgoi nga Haga rreth 110 piktura të cilat u ekspozuan për publikun në prag të 110 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë.

“Është një ndjenjë e rëndë [mungesa e Rexhep Selimit] jo vetëm për ne si familje, por është një ndjenjë e keqe për gjithë kombin dhe për gjithë shqiptarët sepse ajo gjykatë është e padrejtë ndaj Kosovës por edhe ndaj UÇK-së. UÇK-ja ka luftuar për lirinë e vendit, çlirimin e vendit, për të drejtën e shqiptarëve për të jetuar të lirë. Dhe nuk është ushtri që ka bërë krime, ose krime kundër njerëzimit siç pretendohet. Ajo gjykatë uroj që të përmbyllet sa më shpejt, gjithë ai proces që është duke ndodhur atje. Megjithëse një proces i vonuar, me shumë të meta”, thotë ajo.

Dalja publike e UÇK-së në skenë, thotë ajo, kishte jehonë për gjithë kombin, duke treguar që në Kosovë po zhvillohet një luftë.

Atë kohë, Shqipe Selimi-Mehmeti jetonte në Gjermani, ku pas rënies heroike të familjes Jashari, kthehet për të ju bashkuar luftës.

“Daljes publike të UÇK-së i parapriu edhe sulmi në fshatin e komandantin Abedin Rexha, pastaj me sulmin apo me vazhdën e sulmeve në Llaushë, ku fatkeqësisht bie mësuesi Halit Geci, plagoset tjetri. Pas kësaj ngjarje vendoset të dilet publikisht Ushtria Çlirimtare e Kosovës, me 28 nëntor gjatë varrimit të mësuesit Halit. Dalja publike e UÇK-së nuk ishte vetëm e arritur për UÇK-në por ishte një shpresë për tërë kombin shqiptar. Pra, ishte një dalje publike për t’i treguar popullit dhe kombit tonë se Kosovës ka kush t’i del zot dhe ka kush lufton për vend. Ishte një thirrje apo një gurthemel i lirisë në ato momente”, thotë ajo.

Në intervistën për KosovaPress, ajo tregon se me Rexhep Selimin u njoftuan në luftë, ku atë kohë ajo ishte vetëm 14-vjeçare.

“Unë rastisa që të jem në moshën 14-vjeçare ushtare e UÇK-së, në vitin 1998, bashkë me babain ku e gjithë familja u kthyem në Kosovë nga Gjermani. Dhe deri në përfundim të luftës kemi qenë të gjithë në Kosovë. Nuk kemi lëvizur në Kosovë. Me Rexhën jemi njohur në luftë…Në fillim të vitit 1998 nuk është që kishte shumë në numër të madh ushtarëve të UÇK-së, por shumë shpejt u rrit numri i ushtarëve, u rrit vullneti i gjithë kombit të mobilizohen me UÇK-në. Sepse UÇK-ja është ditur që po lufton për çlirimin e vendit, është ushtri guerile e popullit, nuk ishte ushtri mobilizuese me pagesë, siç ishin pala kundërshtare e jona, armiku ynë”, thekson bashkëshortja e Rexhep Selimit.

Dalja e parë publike e UÇK-së u bë në varrimin e mësuesit Halit Geci. Ai u vra nga forcat serbë të cilët gjuajtën në drejtim të shkollës së fshatit, pa asnjë provokim.