Krasniqi nga Prekazi: 28 Nëntori na emocionon sepse këtu s’i kemi Hashim Thaçin e Kadri Veselin
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi tha se edhe në këtë 28 nëntor, themeluesit e UÇK-së po zhvillojnë betejën për drejtësi. Pas homazheve në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz, ai tha se kjo ditë duhet të frymëzojë secilin për të kujtuar sakrificat e gjeneratave të shumta për lirinë. Ai pas përkuljes para…
Lajme
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi tha se edhe në këtë 28 nëntor, themeluesit e UÇK-së po zhvillojnë betejën për drejtësi. Pas homazheve në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz, ai tha se kjo ditë duhet të frymëzojë secilin për të kujtuar sakrificat e gjeneratave të shumta për lirinë.
Ai pas përkuljes para varreve të familjes Jashari u shpreh se në Prekaz janë rrënjët e historisë së luftës çlirimtare.
“Jemi këtu në Prekazin heroik, aty ku i ka rrënjët historia e luftës çlirimtare, aty ku i ka rrënjët edhe liria e popullit tonë për të nderuar kontributin e jashtëzakonshëm dhe titanik të familjes Jashari në krye me kryekomandantin Adem Jashari. Por, edhe për të uruar gjithë shqiptarët kudo që janë për Festën e Flamurit për 28 nëntorin e Krujës, 28 nëntorin e Vlorës dhe 28 Nëntorin e Prekazit. Por, edhe për të përkujtuar daljen publike në këtë datë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. është një festë e cila duhet të na frymëzojë secilin për të bërë punë të mira për popullin tonë, për vendin tonë, është një festë e cila duhet të na përkujtojë sakrificat e gjeneratave të shumta për lirinë dhe shtetin tonë”, deklaroi Krasniqi.
Më tej, Krasniqi tha se edhe në këtë festë themeluesit e UÇK-së po zhvillojnë betejën për drejtësi.
“Është edhe një festë e cila na emocionon sepse nuk i kemi në mesin tonë themeluesit dhe udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin, Rexhep Selimin dhe shokët e tyre të cilët po e zhvillojnë edhe sot e kësaj dite, besoj shumë, betejën e fundit për drejtësinë dhe lavdinë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, shtoi ai.