Gjykimi për vërtetim pronësie, ndërhyrësi thotë se kishte paguar të gjithë çmimin e pronës në kontest
Në seancën e shqyrtimit kryesor për vërtetimin e pronësisë, të mërkurën në Gjykatën Themelore në Pejë, ndërhyrësi T.D., tha se prona që ishte paguar nga paditësja H.R., u pagua me paratë e tij me dy këste. Ndërhyrësi, T.D., ka sqaruar se me tani të ndjerin S.K., dhe paditësën H.R., ishte njohur në vitin 2007, po…
Lajme
Në seancën e shqyrtimit kryesor për vërtetimin e pronësisë, të mërkurën në Gjykatën Themelore në Pejë, ndërhyrësi T.D., tha se prona që ishte paguar nga paditësja H.R., u pagua me paratë e tij me dy këste.
Ndërhyrësi, T.D., ka sqaruar se me tani të ndjerin S.K., dhe paditësën H.R., ishte njohur në vitin 2007, po në këtë vit pas disa muajve ai tha se tani i ndjeri S., i kishte kërkuar 20 mijë euro hua, ku kishin lidhur kontratë me shkrim, të vulosur me vulën e S.K., raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Ndërkohë unë kam shkuar në Gjermani disa herë, dhe jemi takuar disa herë kur jam kthyer në Kosovë, kemi biseduar që ta blejmë një pllac në korzë, tek shtëpia e mallrave, në sipërfaqe 4.93 ari. Në këto biseda ka marrë pjesë disa herë edhe H.R., për arsye se ata e kishin edhe një kontest tjerër për një shumë prej 295 mijë euro, për këtë e kishin pasur edhe kontatën e përpiluar në mes vete”, tha ndërhyrësi D.
Sipas tij, dy personat e lartcekur nuk kishin pasur para për ta blerë pllacin, por as të paguajnë taksën gjyqësore për kontratën e lidhur për borxhin që e kishin.
Tutje, ndërhyrësi tha se kur kishte ardhur koha për ta blerë pllacin në fjalë, i cili kishte kushtuar në vlerë prej 350 mijë euro, atë shumë e kishte paguar ai të gjithën, mirëpo me dy këste.
Ai tha se më 25 nëntor 2009, në shtëpinë e paditëses, i kishte dërguar 214 mijë euro, ndërsa paditësja me tani të ndjerin S.K., si dhe ndërhyrësi, të nesërmen kishin shkuar në bankën ProCredit, ku tha se paditësja i kishte deponuar kesh 160 mijë.
Ndërhyrësi tha se më pas kishte ardhur avokati i shitësit dhe i kishte marrë paratë me dy këste.
“Më duhet të theksoj se nuk do të thotë se paratë që i kemi dhënë për këtë pronë kanë qenë paratë e H., pasi që janë paguar prej saj”, shtoi ndërhyrësi.
Pasi që ishte paguar pllaci në fjalë, ai tha se ishte takuar sërish me S.K., ku kishin biseduar për ndërtimin e një objekti afarist.
“30 janar 2010, isha prezent kur S., që ia ka kthyer paratë H., afër 200 mijë euro, që i kishte siguruar nga familja H., por një pjesë prej 100 mijë euro ia ka paguar përmes kontos S.,- H., ndërsa pjesën tjetër ia ka paguar drejtpërdrejt dhe unë kam qenë prezent nëpër të gjitha këto pagesa”, tha ndërhyrësi T.D.
Ai tha se më pas S.K., sërish e kishte ftuar për të biseduar dhe arritur marrveshje për ndërtimin e objektit, mirëpo pas një kohe ai tha se S.K., kishte vdekur.
Sipas ndërhyrësit, pas dy apo tre muajsh, trashëgimtarët e të ndjerit e kishin ftuar në shtëpine e dajëve të tyre për të arritur marrëveshje për pllacin në fjalë, që të ndërtojnë ndërtesën dhe ta ndanin atë në ½, për familjen K., dhe ndërhyrësin D.
Lidhur për këto marrëveshje, ai tha se kishin krijuar kontrata të vërtetuara tek noteri tri herë.
Më pas, ai tha se kohën sa ishte gjallë edhe personi S.K., ai së bashku me paditësën H.R., kishin ushtruar bashkë padinë pranë gjykatës, kundër tani të ndjerit, mirëpo në ndërkohë tha se kishin arritur marrëveshje dhe ai kishte hequr dorë nga kërkesa e padisë.
Më pas, ai tha se pas disa ngjarjeve kishte shprehur interes sërish për këtë lëndë dhe çka u fut prapë si ndërhyrës.
Ndërhyrësi tha se lokalin të cilin e kishte blerë nga S.K., nuk kishte të bëjë me këtë çështje të kontestit, dhe se paratë i kishte paguar kesh pasi që në vitin 2009, nuk i kërkoheshin transfere bankare. Mirëpo sipas tij, ai kishte krijuar kontrata sa herë që kishte paguar.
I autorizuari i paditëses H.R., avokati Idriz Ibraj tha se deklaratat në mes paditëses dhe ndërhyrësit janë kontradiktore, dhe në interes së gjetjes së të vërtetës objektive, propozoi që në seancën e radhës të ballafaqohen në mes vete.
Kurse, i autorizuari i palës së paditur, avokati Faton Qirezi, tha se është e domososhme që të bëhet ballafaqimi në mes të paditurit K., dhe ndërhyrësit, për shkak të dëshmive të tyre të kundërta.
Qirezi u pajtua edhe me propozimin e avoaktit të palës paditëse, për ballafaqimin në mes të paditësës H., dhe ndërhyrësit.
Më pas, seanca u ndërpre për të vazhduar në janar të vitit të ardhshëm.
Ndryshe, sipas padisë së ushtruar më 25 shkurt 2010, nga paditësit H.R dhe T.D., ku ky i fundit tani në rrjedhën e procedurës është palë ndërhyrëse, kundër të paditurit- tani të ndjerit S.K, tani trashëgimlënësve, K.K., S.,K. dhe B.K, për vërtetimin e pronësisë, i padituri kishte qenë në kontest pronësor me Komunën e Pejës, përkitazi me ngastrën kadastrale në sipërfaqe prej 1120 m2.
Në padi thuhet se Komuna e Pejës i kishte preferuar të paditurit zgjidhjen e kontestit me shkëmbimin e ngastrës së përshkruar me ndonjë ngastër tjetër të përafërt, e cila mund të arsyetohet me interesat e komunës. Por, thuhet se i padituri nuk kishte ndonjë sipërfaqe toke për t’i ofruar Komunës së Pejës, për shkëmbim, e kjo e ka shtyrë të bëjë marrëveshje me paditësit, që këta t’ia blejnë ngastrat.
Në padi thuhet se marrëveshja ka qenë që ato dy ngastra të regjistrohen vetëm në emrin e paditëses H.R., e pastaj të bëhet shkëmbimi me ngastrën kadastrale nr.890/1, e që kjo ishte bërë kusht që paditësit dhe të paditurit të jenë pronarë të përbashkët nga 1/3 e ngastrës së fituar me shkëmbim.