​Prodhimi i municioneve, Maqedonci thotë se janë koordinuar me aleatë

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka dhënë detaje lidhur me procesin e hapjes së një fabrike shtetërore për prodhimin e municionit si dhe laboratori për dizajnimin e fluturakeve pa pilot. Ai tha se për hapjen e kësaj fabrike janë koordinuar me partnerët, derisa bëri të ditur se kanë pranuar një raport fizibiliteti nga Ministria e…

Lajme

27/11/2024 15:07

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka dhënë detaje lidhur me procesin e hapjes së një fabrike shtetërore për prodhimin e municionit si dhe laboratori për dizajnimin e fluturakeve pa pilot.

Ai tha se për hapjen e kësaj fabrike janë koordinuar me partnerët, derisa bëri të ditur se kanë pranuar një raport fizibiliteti nga Ministria e Mbrojtjes së Turqisë. Sipas tij, përmes prodhimit të municionit Kosova do forcojë industrinë ushtarake.

“Jemi në kontakt dhe kemi pranuar një raport fizibiliteti me prodhues shtetëror nga Ministria e Mbrojtjes së Turqisë. Jemi në fazën e finalizimit të këtij projekti dhe komisioni që do të kryesohet nga unë, ku do të jenë pjesëmarrës ministri i Punëve të Brendshme, ministrja e Industrisë dhe ministri i Financave do të finalizojë kontratën me të cilën ne fillojmë punën për hapjen e fabrikës shtetërore të municionit. Kjo nuk do të pengojë zhvillimin e sektorit privat në prodhimin e municionit. Gjitha kompanitë inkurajohen që të vazhdojnë punën e tyre për hapjen e fabrikave të tilla, duke pas parasysh faktin se sot më shumë se kurrë ka nevojë për plotësimin e stoqeve të municioneve dhe armëve”, tha ai.

Krahas Turqisë, Maqedonci tha se janë në koordinim edhe me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Sipas tij fabrika e municionit nuk ndërhyn në planin e tranzicionit të FSK-së, derisa tha se në vijim do të shpalosen detaje rreth kalibrave të municioneve që mund të prodhohen në këtë fabrikë si dhe koston e saj.

“Ne asnjë hap nuk e ndërmarrim pa u konsultuar me të gjithë partnerët dhe në veçanti me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilët janë partneri ynë strategjik në zhvillimin e kapaciteteve të mbrojtjes dhe sigurisë. Fabrika e municionit është projekt i qeverisë dhe nuk ndërhyn në planin e tranzicionit të FSK-së, e cila normalisht do të zhvillohet bazuar në objektivat gjithëpërfshirës të hartuar në bashkëpunim me SHBA-në. Hapja e fabrikës së prodhimit të municionit do t’i kontribuojë qëndrueshmërisë logjistike jo vetëm për Ministrinë e Mbrojtjes, por edhe ministritë të tjera të cilat kanë në posedim armatim… Të gjitha prodhimet në Kosovë do të bëhen sipas standardeve të NATO-s dhe diskutimet kanë qenë që këto prodhime të jenë sipas atyre standardeve. Përveç Turqisë, ne do të diskutojmë edhe me vendet të tjera për mundësitë e prodhimit të komponentëve të ndryshme të armatimit dhe armëve. Fokusi është fillimisht te municioni që është element bazë për funksionimin e një ushtrie. Ne jemi në fazën ku do të fillojnë diskutimet, ku do të përfshihet çështja e çmimit dhe produkteve që planifikojmë t’i prodhojmë në Kosovë”, tha Maqedonci.

Ai foli edhe për sulmin me dy granata dore ndaj stacionit policor në Zveçan, ku tha se këto janë sulme terroriste të grupeve paramilitare në veri.

“Është akt terrorist i izoluar, por gjithmonë i ndërlidhur me akte të vazhdueshme që grupe të ndryshme paramilitare kanë ndërmarrë kundër vendit tonë, duke përfshirë edhe synimin për të aneksuar pjesë të territorit tonë gjatë 23 shtatorit të vitit të kaluar. Normalisht, përfshirjen në FSK ne e bëjmë pas një koordinimi paraprak me KFOR-in, pasi është një zotim i vitit 2013 dhe ne jemi duke zbatuar”, tha Maqedonci.

Krahas këtyre, ai foli edhe për sigurimin e ushqimit të ushtarëve të FSK-së, ku tha se janë në fazën përfundimtare të rekrutimit të personelit në kuzhinat e FSK-së.

“Jemi në fazën përfundimtare të rekrutimit të personelit të profesionalizuar në kuzhinat e FSK-së. Asnjëherë nuk ka munguar ushqim në FSK dhe furnizimi është bërë në vazhdimësi duke shfrytëzuar kontratat e Autoritetit Qendror të Prokurimit”, tha Maqedonci.