Manifestimi i Ditës së Forcës, Kurti e Maqedonci vizitojnë kazermën e FSK-së: Forca jonë po rritet, Republika po fuqizohet

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, së bashku me ministrin e Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, kanë vizituar kazermën e FSK-së në Ditën e Forcës. Kjo vizitë vie pak kohë pas mbledhjes së Qeverisë ku u morën edhe dy vendime të rëndësishme mëngjesin e sotëm. Në një prononcim për media i pari i vendit, bëri të ditur edhe…

Lajme

27/11/2024 13:59

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, së bashku me ministrin e Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, kanë vizituar kazermën e FSK-së në Ditën e Forcës.

Kjo vizitë vie pak kohë pas mbledhjes së Qeverisë ku u morën edhe dy vendime të rëndësishme mëngjesin e sotëm.

Në një prononcim për media i pari i vendit, bëri të ditur edhe njëherë vendimet që u morën në mbledhje.

Kurti ka thënë se janë marrë vendimi për themelimin e një komisioni ndërministror me qëllim vlerësimin për nisjen e procedurave e negociatave lidhur me hapjen e fabrikës për prodhim të municioneve dhe për laboratorin për dizajnimin e fluturave pa pilot.

“Erdhëm pas mbledhjes së Qeverisë ku u morën dy vendime të rëndësishme. Fabrika e municionit dhe vendimi për fluturaket pa pilot. Forca e sigurisë së Kosovës po forcohet, e bashkë me të edhe Republika e Kosovës“, tha Kurti ndër të tjera.

E për këtë ditë foli edhe ministri i Mbrojtjes, Maqedonci, i cili tha se kjo ditë tashmë është shndërruar në një traditë për vendin.

“Sot është një ditë e rëndësishme për Forcën e Sigurisë së Kosovës, Dita e Forcës është bërë tashmë një traditë për vendin. Sot këtë ditë po e shënojmë edhe me plotësimin e infrastrukturës së FSK-së”, tha ministri.

Ministri gjithashtu tha se ky komision do të hulumtojë dhe do të diskutojë edhe mundësinë për hapjen e një laboratori, siç tha ai, me qëllim dizajnimin e fluturakeve pa pilot.

“Dihet që fluturaket pa pilot si një sistem i ri, i cili është duke u aplikuar në luftërat e fundit, si në Ukrainë, gjithashtu edhe në Lindjen e Mesme, është një sistem i nevojshëm dhe i domosdoshëm dhe përmes këtij laboratori, vendi ynë do të ketë mundësi që të punojë në dizajnimin e fluturakeve, të cilat në të ardhmen mendohet që mund të prodhohen pikërisht këtu në vendin tonë. Edhe për këtë kemi diskutime me shumë partnerë dhe do të bëhen të ditura të gjitha informacionet në ditët dhe muajt në vijim”, u shpreh ai./Lajmi.net