Vrasja e 14-vjeçarit Martin Cani në Tiranë, qytetarët sërish në protestë
Pas ngjarjes së rëndë të ndodhur jashtë ambienteve të shkollës “Fan Noli” në Tiranë, ku u vra 14-vjeçari Martin Cani nga një bashkëmoshatar i tij, qytetarët dolën sot në protestën e tretë. Prindër, të rinj, përfaqësues nga shoqëria civile u mblodhën te shkolla “Fan Noli” nga ku marshuan në drejtim të Ministrisë së Arsimit dhe…
Lajme
Pas ngjarjes së rëndë të ndodhur jashtë ambienteve të shkollës “Fan Noli” në Tiranë, ku u vra 14-vjeçari Martin Cani nga një bashkëmoshatar i tij, qytetarët dolën sot në protestën e tretë.
Prindër, të rinj, përfaqësues nga shoqëria civile u mblodhën te shkolla “Fan Noli” nga ku marshuan në drejtim të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit.
Që sot e tutje emri i shkollës të zëvendësohet dhe shkolla të quhet “Martin Cani”. Dhe vetë Fan Noli të ishte gjallë do e pranonte. Në oborrin e shkollës të vendosim shtatoren prej bronzi të Martinit, për të përjetësuar Martinin”, tha një prej prindërve të pranishëm në protestë.
Protestuesit me pankartën “Institucionet e papërgjegjshme vrasin” në duar, kërkojnë dorëheqjen e ministres Manastirliu dhe plotësimin e kushteve për rritjen e sigurisë në shkolla.
“Jam prind i tre fëmijëve, të tre te ‘Fan Noli’. Jemi shumë të shqetësuar nga ngjarja e fundit. Kërkojmë më tepër siguri në shkolla dhe rritje të numrit të psikologëve. Bullizmi dhe armët e ftohta në shkolla duhet të marrin fund njëherë e mirë. Duhet një ndërgjegjësim dhe një edukim më i mirë. Nuk mjafton të marrë dhjeta dhe të jetë ekselent. Ne nuk do ta lëmë deri sa kjo çështje të ketë një zgjidhje, qoftë për hetimin e çështjes, qoftë për rritjen e sigurisë në shkolla”, tha një prind.
Një tjetër prind tha se “kërkojmë siguri për fëmijët tanë në shkolla”.
Kërkesat e shoqërisë civile janë:
– Plotësimi e 100% të shkollave me psikologë, një psikolog për 200 nxënës.
– Qëndrimi i nxënësve në hapësirat e shkollës deri në orën 16:00 duke iu afruar programe ushqimi dhe mundësie të bërjes së detyrave në shkollë.
– Zbatimi i rregullave për heqjen e telefonave në orarin e mësimit duke sanksionuar ata që nuk zbatojnë rregullat.
– Monitorimin e rreptë të platformave audiovizuale e digjitale, nga autoritetet që dukshëm shërbejnë vetëm për marrjen e rrogës, AMA, AKEP.
– Për të siguruar bllokimin e përmbajtjen jo etike të dhunshme si në hapësirën digjitale e publike.
– Caktimi në çdo shkollë i një oficeri sigurie duke rishikuar detyrat dhe rolin e tyre.
– Krijimi i një sistemi raportimi efektiv të rasteve ku ndërlidhen institucionet përgjegjëse e komuniteti i prindërve.