Kurti merr pjesë në përurimin e Bibliotekës së Qytetit të Shtimes
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti bashkë me ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, si dhe kryetarin e Komunës së Shtimes, Qemajl Aliu, morën pjesë në përurimin e Bibliotekës së re të Komunës së Shtime. Kurti në fjalën e tij tha se inaugurimi i çfarëdo objekti të dijes, është dhe duhet të jetë festë…
Lajme
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti bashkë me ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, si dhe kryetarin e Komunës së Shtimes, Qemajl Aliu, morën pjesë në përurimin e Bibliotekës së re të Komunës së Shtime.
Kurti në fjalën e tij tha se inaugurimi i çfarëdo objekti të dijes, është dhe duhet të jetë festë për të gjithë ne.
“Hapja e dyerve të ndërtesës së re të Bibliotekës së qytetit të Shtimes, sot shënon një ditë feste për arsimin, kulturën dhe për mbarë komunitetin e këtij qyteti.” tha Kurti në fjalën e tij në kuadër të ngjarjes.
Tutje në njoftim thuhet se biblioteka e Shtimes, si një ndërtesë e re dhe moderne e cila i plotëson të gjitha kushtet dhe nevojat e lexuesve, është gjithashtu edhe plotësisht e invertarizuar.
“Me një investim prej 629 mijë euro nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, është siguruar kjo hapësirë për të ardhme me rini të arsimuar, të lexuar mirë, e më e rëndësishmja, aktive në qytetari e në shërbim të komunitetit dhe zhvillimit të një shoqërie të mbarë e progresiste”.
Kurti tha se ky projekt ka filluar shumë vite më herët, por ka çaluar, ngecur e stagnuar nëpër procedura burokratike, administrative e të lloj-llojshme, e përfundimisht tani ka gjetur zgjidhje të të gjitha problemeve brenda një kohe të shkurtër, dhe sot e gëzojmë atë të përfunduar si ndërtesë shumë të nevojshme për qytetin e Shtimes.
“Biblioteka është vend i pasionit dhe i kureshtjes, i disiplinës dhe i përkushtimit e biblioteka e re është një vend i ri, është një vend më shumë për më shumë pasion e kureshtje për edhe më shumë njerëz të disiplinuar e të përkushtuar për më shumë dije e njohuri. Libri edhe më tej është burim tejet i rëndësishëm si i dijeve specifike, ashtu edhe i kulturës intelektuale.” u shpreh kryeministri Kurti.
Ndryshe Kryeministri i ftoi të gjithë qytetarët e Shtimes që këtë objekt të ri ta përdorin sa më shumë, e ta mbajnë edhe aktiv edhe të qasshëm si një vend nga ku do të nisin diskutimet më të mira, të mirëmbahen studimet e vazhdueshme e të dalin idetë më të zgjuara të vetëdijes sonë të përbashkët. /Lajmi.net/