Gjithçka çfarë ndodhi sot në Parlamentin serb ku u shanë, u shtynë e u rrahën mes vete deputetët e ministrat

Në seancën e Kuvendit të Serbisë më 25 nëntor, pati shtyrje dhe përleshje mes përfaqësuesve të pushtetit dhe atyre të opozitës. Përveç deputetëve, në incident u përfshinë edhe ministra të Qeverisë, ndërsa sigurimi i Kuvendit i ndante ata. Deputetët opozitarë më herët kishin kërkuar që Kuvendi, në të cilin po diskutohej për buxhetin, të votojë…

Lajme

25/11/2024 14:42

Në seancën e Kuvendit të Serbisë më 25 nëntor, pati shtyrje dhe përleshje mes përfaqësuesve të pushtetit dhe atyre të opozitës. Përveç deputetëve, në incident u përfshinë edhe ministra të Qeverisë, ndërsa sigurimi i Kuvendit i ndante ata.

Deputetët opozitarë më herët kishin kërkuar që Kuvendi, në të cilin po diskutohej për buxhetin, të votojë për mosbesimin e Qeverisë pas aksidentit në Novi Sad, ku humbën jetën 15 persona. Megjithatë, pushteti e refuzoi atë propozim.

Gjatë transmetimit të seancës parlamentare nuk u pa qartë se si filloi incidenti, ndërsa zëri ishte i fikur, prandaj nuk mund të dëgjohej se çfarë po i thoshin deputetët njëri-tjetrit.

U pa që deputetët e pushtetit dhe të opozitës po ndaheshin nga sigurimi i Kuvendit, ndërkohë që goditeshin, tërhiqeshin, shtyheshin, lageshin me ujë dhe qëllonin njëri-tjetrin.

Çfarë tha kryetarja e Kuvendit?

Kryetarja e Kuvendit, Ana Bërnabiq, pas incidenteve e akuzoi opozitën për “përpjekje për uzurpim të dhunshëm të pushtetit”.

Ajo akuzoi deputetët opozitarë se, pas ndërprerjes së seancës, “shkulën mikrofonat” dhe “thyen ekranin” për të “penguar” vazhdimin e saj.

“Kështu duket liria e fjalës sipas interpretimit të tyre”, deklaroi Bërnabiq në një konferencë për media në hollin e Kuvendit, ndërsa deputetët opozitarë frynin bilbila dhe vuvuzela.

Bërnabiq u shfaq para gazetarëve e shoqëruar nga deputetët e shumicës qeveritare, ndërsa rreth saj dhe mediave qëndronte sigurimi i Kuvendit. Pas sigurimit ndodheshin deputetët e opozitës.

Ajo tha se seanca kishte nisur me një minutë heshtje për viktimat e aksidentit në Stacionin Hekurudhor të Novi Sadit më 1 nëntor dhe se seanca duhej të ishte dinjitoze.

“Për fat të keq, kjo është gjithçka përveç nderimit dinjitoz për të ndjerët dhe familjet e tyre”, tha Bërnabiq.

Kryetarja e Kuvendit shtoi se do të përpiqet të vazhdojë seancën, ku po diskutohet për buxhetin si dhe ligje të tjera.

Çfarë thonë deputetët opozitarë?

Deputeti i Frontit të Gjelbër e të majtë, Radomir Llazoviq, deklaroi për televizionin N1 se incidentet nisën pasi ai tentoi të ngjiste një ngjitëse me mesazhin “duart tuaja janë të përgjakura” pranë vendeve të ministrave në sallën e Kuvendit.

Ky është një slogan proteste, pasi javët e fundit është kërkuar përgjegjësi politike dhe penale për aksidentin në Novi Sad.

Ai tha se pas kësaj, atë e “sulmoi” ministri i Shëndetësisë, Zllatibor Llonçar, dhe pas një shtyrjeje me të, siç pretendon Llazoviq, ndodhi “përleshja e përgjithshme” në sallën e Kuvendit.

“Ne u përpoqëm ta qetësonim situatën, por na sulmuan gjatë gjithë kohës, policia dhe Partia Progresive Serbe bashkë”, tha Llazoviq. Ai shtoi se disa deputetë ishin lënduar.

YouTube player