Urdhërarresti i GJNP-së ndaj udhëheqësve izraelitë përçan Perëndimin
Urdhër-arresti i Gjykatës Ndërkombëtare Penale ndaj Kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, që shënon herën e parë që një kryeministër në detyrë i një aleati të rëndësishëm perëndimor po akuzohet për krime lufte dhe krime ndaj njerëzimit nga një gjykatë ndërkombëtare, ka shkaktuar përçarje mes udhëheqësve botërorë. Shtëpia e Bardhë kundërshtoi vendimin, duke thënë se gjykata nuk…
Lajme
Urdhër-arresti i Gjykatës Ndërkombëtare Penale ndaj Kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, që shënon herën e parë që një kryeministër në detyrë i një aleati të rëndësishëm perëndimor po akuzohet për krime lufte dhe krime ndaj njerëzimit nga një gjykatë ndërkombëtare, ka shkaktuar përçarje mes udhëheqësve botërorë.
Shtëpia e Bardhë kundërshtoi vendimin, duke thënë se gjykata nuk ka juridiksion mbi këtë çështje, ndërkohë që zyrtarët e lartë të Bashkimit Evropian thanë se vendimi paraqet detyrim ligjor për të gjithë anëtarët e saj. Kryeministri izraelit Netanyahu e quajti lëshimin e urdhër-arrestit “falimentim moral”.
Vendimi i gjykatës kryesore ndërkombëtare për krime lufte për të lëshuar urdhër-arrest ndaj Kryeministrit Benjamin Netanyahu dhe ish Ministrit të tij të Mbrojtjes Yoav Gallant për luftën 13 muajshe në Gazë nxiti të premten reagime të shumta.
Gjykata Ndërkombëtare Penale i akuzoi dy zyrtarët izraelitë për përdorimin e “urisë si mjet lufte” duke kufizuar ndihmën humanitare dhe duke vënë qëllimisht në shënjestër popullsinë civile gjatë luftës së Izraelit në Gazë, e cila filloi pas sulmit të Hamasit ndaj vendbanimeve izraelite.
Vendimi u kundërshtua ashpër nga Kryeministri Netanyahu, i cili e quajti veprim anti-semitik, që ka për qëllim, siç tha ai, t’ia mohojë Izraelit të drejtën për t’u mbrojtur nga armiqtë që e synojnë shkatërrimin e tij.
“Kjo është një ditë e zezë në historinë e shteteve… Ky është një falimentim moral që shkel të drejtën e demokracive për të mbrojtur veten nga terrorizmi vrastar”, tha ai.
Lëshimi i urdhër-arrestit u kritikua edhe nga Shtëpia e Bardhë.
“Ne e kundërshtojmë në thelb vendimin e gjykatës që të lëshojë urdhër-arrestet ndaj zyrtarëve izraelitë. Jemi të shqetësuar thellësisht nga nxitimi i prokurorit të kërkojë lëshimin e urdhër-arresteve dhe gabimet në procesin problematik që çoi drejt këtij vendimi. Shtetet e Bashkuara janë të qarta në qëndrimin e tyre se GJNP-ja nuk ka juridiksion mbi këtë çështje”, tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karine Jean-Pierre.
Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli nuk janë anëtare të Gjykatës Ndërkombëtare Penale. Por aleatët tjerë të Izraelit, përfshirë disa shtete evropiane të cilat gëzojnë marrëdhënie miqësore, janë vënë në pozitë të vështirë. Disa, siç është Franca, mirëpritën vendimin e gjykatës dhe sinjalizuan se mund të arrestojnë kryeministrin Netanyahu nëse ai viziton ato.
Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell tha të premten se vendimi i gjykatës nuk është politik dhe se shtetet evropiane janë ligjërisht të detyruara ta zbatojnë atë.
“Tragjedisë në Gazë i duhet dhënë fund. Vendimi nuk është vendim politik, është vendim i një gjykate ndërkombëtare të drejtësisë, që duhet të respektohet dhe të zbatohet… Ky vendim është ligjërisht i detyrueshëm për të gjitha shtetet, të gjitha shtetet anëtare të gjykatës, që përfshinë të gjitha shtetet anëtare të Bashkimit Evropian, të cilat janë të detyruara ta zbatojnë vendimin e gjykatës” tha ai.
Por, përçarjet ishin të pranishme edhe në këtë bllok.
Kryeministri hungarez Viktor Orban, një aleat i afërt i kryeministrit Netanyahu, u zotua ta injorojë urdhër-arrestin ndërkombëtar ndaj udhëheqësit izraelit dhe ftoi atë të vizitojë Hungarinë.
“Është një vendim i pacipë, do të thosha cinik, i Gjykatës, që ndërhyn në një konflikt që ende po vazhdon, veshur me petkun ligjor, po që në fakt ndërhyn për qëllime politike ngaqë konflikti në Lindjen e Mesme ende nuk ka përfunduar… Dhe kjo nuk më lë zgjidhje tjetër përveçse ta kundërshtoj këtë vendim”, deklaroi ai.
Zëdhënësi i qeverisë gjermane sugjeroi të premten se Gjermania mund të tregohet e rezervuar për të arrestuar Kryeministrin Netanyahu në bazë të këtij urdhër-arresti.
“E kam të vështirë ta imagjinoj që do t’i bënim këto arrestime në Gjermani mbi këtë bazë”, deklaroi zëdhënësi i qeverisë gjermane, Steffen Hebestreit.
Vendimi i gjykatës i shndërron Kryeministrin Netanyahu dhe të akuzuarit e tjerë në të pandehur, të kërkuar ndërkombëtarisht, që rrezikojnë të arrestohen sa herë që udhëtojnë jashtë vendit. Urdhër arresti mund t’i izolojë ata edhe më shumë dhe sipas analistëve ai do të thellojë përçarjet ndërmjet shteteve edhe më shumë.
“Shtetet e Bashkuara nuk … janë anëtare të Gjykatës Ndërkombëtare Penale dhe nuk mund ta lëshojnë urdhër-arrestin, por shumica e shteteve të botës janë dhe në ato shtetet Netanyahu nuk mund të shkojë. Këto shtete përfshijnë Britaninë e Madhe, Francën, Gjermaninë. Është çështje shumë serioze dhe nuk mendoj se ai do të mund të udhëtojë atje. (Ky vendim) do ta përçajë botën edhe më shumë”, tha analistja Nomi Bar-Yaacov pranë institutit “Chatham House”.
Ndërkohë që numri i të vrarëve në Gazë arriti në 44 mijë, sipas zyrtarëve shëndetësorë palestinezë, organizatat për të drejtat e njeriut e mirëpritën vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare Penale si vendim që “godet përshtypjen që individë të caktuar janë mbi ligjin”./VOA/