Oda Amerikane mirëpret kthimin për rishqyrtim të Ligjit për Mbrojtjen e Konsumatorit
Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë ka mirëpritur vendimin e Presidentes së Republikës së Kosovës për kthimin për rishqyrtim të Ligjit Nr. 08/L-288 për Mbrojtjen e Konsumatorit, të miratuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës më 31 tetor 2024, si përgjigje ndaj komenteve të Odës Amerikane dhe organizatave të tjera të sektorit privat. Oda Amerikane përmes…
Lajme
Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë ka mirëpritur vendimin e Presidentes së Republikës së Kosovës për kthimin për rishqyrtim të Ligjit Nr. 08/L-288 për Mbrojtjen e Konsumatorit, të miratuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës më 31 tetor 2024, si përgjigje ndaj komenteve të Odës Amerikane dhe organizatave të tjera të sektorit privat.
Oda Amerikane përmes një komunikate për media ka njoftuar se ka mbështetur vlerësimet e Presidentes se dispozita kyçe të ligjit në fjalë janë në kundërshtim me dispozita të aktit më të lartë juridik të vendit, Kushtetutës, si dhe të ligjeve të tjera. Oda Amerikane beson fuqishëm se vendimi i Presidentes ka për synim shmangien e konflikteve ligjore dhe respektimin e autoritetit, përgjegjësive dhe funksionimit ligjor të institucioneve të ndryshme të Republikës së Kosovës.
“Është imperativ që dispozitat që rregullojnë mbrojtjen e konsumatorit të mos ndërlidhen me aspekte të tjera rregullative të cilat nuk rregullojnë në mënyrë primare ose specifike fushën e të drejtave të konsumatorëve dhe mbrojtjen e tyre, siç janë çështjet që kanë të bëjnë me mjedisin. Oda Ekonomike Amerikane beson se kthimi për rishqyrtim i këtij Ligji do të mundësojë marrjen në konsideratë të shqetësimeve dhe rekomandimeve të përfaqësuesve të sektorit privat dhe organizatave që avokojnë për të drejtat e konsumatorëve, si demonstrim i përkushtimit për përpjekje gjithëpërfshirëse ndërmjet të gjitha palëve të interesit”, thuhet në komunikatë.