Qendra e Mjekësisë Familjare në Drenas- Nënshkruhet kontrata për ndërtimin e saj

Pas shumë vonesave, është nënshkruar kontrata me kompaninë fituese të tenderit për ndërtimin e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Drenas, një projekt që pritet të sjellë cilësi të shërbimeve shëndetësore për qytetarët e kësaj komune. Kjo nismë filloi me nënshkrimin e memorandumit të bashkëpunimit me Ministrinë e Shëndetësisë gjatë mandatit të ministrit Uran…

Lajme

19/11/2024 17:51

Pas shumë vonesave, është nënshkruar kontrata me kompaninë fituese të tenderit për ndërtimin e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Drenas, një projekt që pritet të sjellë cilësi të shërbimeve shëndetësore për qytetarët e kësaj komune.

Kjo nismë filloi me nënshkrimin e memorandumit të bashkëpunimit me Ministrinë e Shëndetësisë gjatë mandatit të ministrit Uran Ismajli, si projekt madhor për përmirësimin e infrastrukturës shëndetësore. Pasardhësi i tij, ministri Rifat Latifi, vazhdoi përkushtimin për realizimin e këtij projekti, por përkundër përpjekjeve dhe sfidave teknike, sollën humbje buxhetore të komunës, por edhe pakënaqësi te qytetarët.

Edhe gjatë vitit të kaluar, në Komunën e Drenasit është pritur ministri Arben Vitia me Sekretarin e përgjithshëm të Ministrisë së Shëndetësisë, Naim Bardiqin, ku nga kryetari Lladrovci është shtruar çështja e QKMF-së si prioritet për Komunën dhe cilësinë e shërbimeve shëndetësore.

Vonesa në ndërtimin e QKMF-së ka krijuar situatë të ndërlikuar për qytetarët e Drenasit. Ata me të drejtë kanë shprehur pakënaqësitë e tyre ndaj mungesës së kushteve adekuate shëndetësore. Kjo gjendje ia ka pamundësuar Komunës të investojë në objektin ekzistues, duke qenë se pritej realizimi i QKMF-së së re.

Ky projekt i shumëpritur pritet të përmirësojë ndjeshëm qasjen në shërbime shëndetësore cilësore, duke ofruar infrastrukturë moderne dhe të sigurt për pacientët dhe stafin mjekësor.

Ky është një hap i rëndësishëm drejt realizimit të vizionit për kujdes shëndetësor të standardeve më të larta, dhe pritet që ndërtimi të përfundojë brenda afatit.