Miftaraj: Osmani i tregoi Qeverisë dhe Kuvendit se nuk dinë të hartojnë ligje dhe politika në pajtim me Kushtetutën

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka nxjerrë vendim, me të cilin ka kthyer në Kuvend, dy ligje për rishyrtim. Lidhur me këtë ka reaguar Drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Ehat Miftaraj ai ka përgëzuar presidenten për këtë hap. “Pas Gjykatës Kushtetuese dhe Komisionit te Venecias, edhe Presidentja e republikës, i tregon qeverise…

Lajme

19/11/2024 14:26

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka nxjerrë vendim, me të cilin ka kthyer në Kuvend, dy ligje për rishyrtim.

Lidhur me këtë ka reaguar Drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Ehat Miftaraj ai ka përgëzuar presidenten për këtë hap.

“Pas Gjykatës Kushtetuese dhe Komisionit te Venecias, edhe Presidentja e republikës, i tregon qeverise dhe Kuvendit nuk dine te hartojne ligje dhe politika ne pajtim me Kushtetuten”, ka shkruar Miftaraj.

Miftaraj tutje tha se Osmani sot ka nxjerrë vendim, me të cilin e ka kthyer në Kuvend, Ligjin për Këshillin e Sigurisë së Republikës së Kosovës, i cili është miratuar më 31 tetor 2024.

“Në arsyetim, Presidentja thekson se Ligji i miratuar nga Kuvendi ka fshirë të gjitha dispozitat e ligjit paraprak, me të cilin rregullohet mandati, funksionimi, kompetencat dhe përbërja e Këshillit në gjendje të jashtëzakonshme, duke arsyetuar se në mungesë të një ligji tjetër në fuqi që e rregullon këtë fushë, funksionimi i Këshillit të Sigurisë gjatë gjendjes së jashtëzakonshme mbetet krejtësisht i parregulluar, duke rrezikuar drejtpërdrejt sigurinë kombëtare të shtetit tonë dhe duke krijuar zbrazëti ligjore në rregullimin e funksionit të Këshillit të Sigurisë në gjendje të jashtëzakonshme”, shkroi ai.

Po ashtu i pari i IKD-së thotë se Presidentja në vendimin e saj ka përmendur se Ligji në fjalë bie në kundërshtim me nenin 125 (2) dhe nenin 127 (3) të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

“Sipas Presidentes, mospërfshirja e dispozitave që rregullojnë funksionimin e Këshillit gjatë gjendjes së jashtëzakonshme, krijon vakum juridik”, ka përfunduar Miftaraj. /Lajmi.net/