E larguan nga drejtimi i Doganës se kishte rrezikuar vendin me “vaj disulfurik”- Këshilltari i Pecit, Naim Huruglica merr grant 100 mijë euro
16 vite më parë Qeveria e Kosovës kishte marrë vendim për largimin e njeriut kryesor të Doganës së Kosovës. Rasti i futjes së maunave me vaj disulfurik dhe gjetjet e Zyrës së Auditorit Gjeneral për keqpërdorime në Shërbimin Doganor të Kosovës kishin çuar drejt suspendimit të drejtuesit të këtij institucioni, Naim Huruglica. Këtë vendim e…
Lajme
16 vite më parë Qeveria e Kosovës kishte marrë vendim për largimin e njeriut kryesor të Doganës së Kosovës.
Rasti i futjes së maunave me vaj disulfurik dhe gjetjet e Zyrës së Auditorit Gjeneral për keqpërdorime në Shërbimin Doganor të Kosovës kishin çuar drejt suspendimit të drejtuesit të këtij institucioni, Naim Huruglica.
Këtë vendim e mori ministri i Ekonomisë dhe Financave, Ahmet Shala, disa orë pasi kryeministri i vendit asokohe, Hashim Thaçi në mbledhjen e rregullt të qeverisë kishte kërkuar ndëshkim ndaj atyre që kanë lejuar futjen e maunave në Kosovë.
Bazuar në një njoftim zyrtar të MEF-it Qeveria e Republikës së Kosovës, në mbledhjen e së hënës , ka kërkuar nga udhëheqësit e MEF-it dhe të Ministrisë së Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor (MAPH), që të marrë masa adekuate ligjore dhe disiplinore ndaj personave përgjegjës në ShDK-së dhe personave përgjegjës në MAPH, të cilët kanë bërë lëshime me rastin e importit të materieve të rrezikshme dhe kanë treguar papërgjegjshmëri ligjore rreth trajtimit të kësaj çështjeje.
“Duke u bazuar në kërkesën e Qeverisë , në bazë të përgjegjësive që ka Drejtori i Shërbimit Doganor ndaj këtij rasti, si dhe të gjetjeve të Zyrës së Auditorit Gjeneral të cilat janë të publikuara në raportin e fundit, e të cilat flasin për një numër të konsiderueshëm të shkeljeve dhe parregullsive në këtë shërbim, Ministri i MEF-it në bazë të kompetencave të përcaktuara me ligj, merr vendimin që të suspendojë përkohësisht nga posti i Drejtorit të Doganave, Naim Huruglica”.
E është pikërisht ky njeri që dikur rrezikoi vendin që së fundi u “shpërblye” nga Qeveria e Kosovës, saktësisht nga Ministria e Bujqësisë.
Ministri i Bujqësisë Faton Peci i dha grant edhe këshilltarit të jashtëm në kabinetin e ministrit, Naim Huruglica.
Kompania e quajtur “Iron Consulting” është nën drejtimin e Huruglicës, e që u shpërblye me grant në vlerë 100 mijë euro.
100 mijë euro grant për projektin e këshilltarit të ministrit Peci, Naim Huruglica.
Naim Huruglica i cili tani mban pozitën e këshilltarit të jashtëm të ministrit Peci, dikur ishte larguar nga udhëheqja e Doganës së Kosovës.
Madje asokohe saktësisht në vitin 2008 në vendin tonë ishin organizuar edhe protesta. Në Mitrovicë ishte protestuar në lidhej me vajin disulfurik që kishte lejuar të f utet në Kosovë vetë Huruglica.
Protestuesit thonin se kjo materie është helmuese dhe se shkaktonte pasoja në shëndetin e banorëve si dhe se dëmtonte florën e faunën.
Pas kësaj, ministria ishte dashur që të shpallte tender për përzgjedhjen e një kompanie të caktuar, që do të bënte asgjësimin e vajit disulfurik.
Materia, me mbi 50 tonë vaj disulfurik kishte ardhur nga Irani dhe bënte pjesë në mesin e gazrave helmuese.
Naim Huruglica kishte arritur madje që përsëri të kthehej në punë, e pas sa vitesh edhe të shpërblehet me grant./Lajmi.net