U munduan që fajin ta “fshehin” e Kurti i quajti “propagandë”, por shikoni videon kur ministrja Nagavci lansonte doracakët me lëvdata

Doracakët e “Edukimit Seksual” që u bën publik ditë më parë ishin “skandaloz”. Thënë qartë këta doracakë përpos që përmbanin gjuhë të pahijshëm, gjuhë vulgare e tejet të rëndë për fëmijët, përmbanin edhe aktivitete aspak të përshtatshme për ta. Nxënës nga klasat 1-5 dhe 6-9 do të mësonin shumëçka rreth trupit, gjinive, marrëdhënieve e shumë…

Lajme

18/11/2024 15:04

Doracakët e “Edukimit Seksual” që u bën publik ditë më parë ishin “skandaloz”.

Thënë qartë këta doracakë përpos që përmbanin gjuhë të pahijshëm, gjuhë vulgare e tejet të rëndë për fëmijët, përmbanin edhe aktivitete aspak të përshtatshme për ta.

Nxënës nga klasat 1-5 dhe 6-9 do të mësonin shumëçka rreth trupit, gjinive, marrëdhënieve e shumë gjëra të tjera.

Po ashtu në këta doracakë kërkohej edhe realizimi i aktiviteteve të ndryshme nga mësimdhënësit e nxënësit.

Bujë të madhe bëri deklarimi i një deputeti në Kuvendin e Kosovës, i cili qartësoi se nga këta doracakë u kërkohej fëmijëve që të zgjidhnin një nxënës që të dilte para tyre t’ia mbyllnin sytë e dikush tjetër t’i prekte pjesët e trupit.

Këto gjëra përpos që ishin të papërshtatshme për fëmijë ende në krijim e sipër, shkaktuan edhe frikra të ndryshme tek prindërit.

E në lidhje me këto shqetësime pati edhe reagime të ndryshme. Por pavarësisht se ato ishin publikuar në gusht të vitit 2023, nga Ministria e Arsimit tentuan që të hiqnin përgjegjësin.

Madje ata tentuan me çdo forcë që këta doracakë t’ia referonin ministrive të kaluara.

E për këtë ish-ministri i Arsimit, Arsim Bajrami deklaroi se atëherë kur ai ishte në krye të kësaj ministrie, më 2016 vetëm ishte bërë kërkesa për doracakët e atëherë nuk ishin formuluar.

E ministrja Nagavci që tentoi të “fshihej” nga përgjegjësia, këtë fushatë dikur e proklamonte, e ngriste lartë e bënte thirrje për “rezultate”.

Përpos fotografive e statuseve që iu gjetën ditë më parë, e që dëshmonin se ajo po bënte thirrje për këta doracakë nëpër shkolla, tashëm është publikuar edhe video-ja ku ajo shihet duke folur për këta doracakë.

Nagavci shprehte “nder dhe kënaqësi” kur lansoheshin doracakët për mësimdhënës për edukimin gjithëpërfshirës seksualë.

“MASHTI ka bërë një progres drejt përfshirjes së përmbajtjes së edukimit seksual në mënyrë që të shkojë përtej biologjisë dhe riprodhimit, duke i pajisur fëmijët për trupin e tyre, të drejtat e tyre dhe t’i informojë ata për barazinë gjinore, identitetin gjinor dhe marrëdhëniet e shëndetshme, një qasje që shpeshherë është referuar përgjithësisht si edukim gjithëpërfshirës seksual”, shprehej ajo.

Përpos kësaj, ministrja Nagavci lavdëronte doracakët për përmbajtje të mirë. “Duke marrë parasysh sfidat që janë në trajtimin e përmbajtjeve të edukimit seksual, MASHTI me mbështetjen tuaj po i lanson doracakët për mësimdhënës që përfshijnë përmbajtje që mund të përdoren nga klasa e parë deri në klasën e dymbëdhjetë”, thoshte ajo ndër tjerash.

Ministrja thoshte se “reformat gjithmonë sjellin risi”, ndërsa konsideronte se lansimi i këtyre doracakëve “ka qenë nevojë e kohës”.

Edhe pse këto deklarata i bënte dikur, tashmë Ministria e Arsimit mori vendim që të rishikohen këta doracakë.

Reagimi i zëshëm i prindërve, mësimdhënësve e shoqërisë civile për shqetësimin që po u bëhej fëmijëve nga kërkesat për këta doracakë rezultoi që ato të tërhiqeshin nga shkollat./Lajmi.net/