Reagimi bëri punë- Ministria e Arsimit merr vendim të ri për doracakët e “Edukimit seksual”

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë ka bërë të ditur se është marrë vendim për rishikim të doracakëve “Edukimi Seksual dhe shëndeti riprodhues”. Ministria më në fund e ka kuptuar reagimin e gjerë publik, anipse shpesh herë tentuan të “tërhiqeshin” nga mbajtja e përgjegjësisë për doracakët të cilët vetë i kishin publikuar dhe vetë po…

Lajme

15/11/2024 14:14

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë ka bërë të ditur se është marrë vendim për rishikim të doracakëve “Edukimi Seksual dhe shëndeti riprodhues”.

Ministria më në fund e ka kuptuar reagimin e gjerë publik, anipse shpesh herë tentuan të “tërhiqeshin” nga mbajtja e përgjegjësisë për doracakët të cilët vetë i kishin publikuar dhe vetë po bënin prezantimin e tyre vitin e kaluar nëpër shkolla.

Në reagimin e ministrisë thuhet se Ministria do të formojë një komision me ekspertët më të kualifikuar në vend, transmeton lajmi.net.

Ndryshe doracakët në fjalë kishin gjuhë tejet vulgare, e kërkonin aktivitete aspak të hijshme dhe të rregullta për fëmijët aq të vegjël.

Reagimet në lidhej me këta doracakë ishin të vazhdueshme. E përpos ndryshimeve, kërkohej edhe dorëheqja e ministres Nagavci.

Nga kjo ministri vazhdimisht kanë tentuar që të mos marrin përgjegjësinë për këta doracakë.

Njoftim:

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit njofton se ka nxjerrë vendim për rishikimin e doracakëve “Edukimi seksual dhe shëndeti riprodhues”, të miratuar në vitin 2020. Për procesin e rishikimit Ministria do të formojë një komision me ekspertët më të kualifikuar në vend. Të ftuar do të jenë të gjitha palët relevante, përfshirë Këshillin e Prindërve të Kosovës. Ky proces do të kryhet në mënyrë profesionale, etike e transparente, dhe me tërë përkushtimin që kërkon ligji dhe detyra.

Duke marrë parasysh shqetësimet e prindërve në adresë të Ministrisë, sqarojmë edhe një herë që nuk ka kurrikulë të veçantë për edukim seksual e as tekste shkollore ku fëmijët mësojnë për edukimin seksual. Edukimi seksual synon të pajisë fëmijët dhe të rinjtë me njohuri të bazuara në fakte shkencore rreth shëndetit seksual dhe riprodhues, dhe i ndihmon të kuptojnë ndryshimet trupore që ndodhin gjatë zhvilimit.

Lidhur me doracakët për mësimdhënës, prej vitit 2019 janë trajnuar më shumë se 2500 mësimdhënës. Deri tani nuk ka pasur asnjë shqetësim nga asnjë palë, përfshirë ekspertët shëndetësorë, psikologët, mësimdhënësit, drejtorët e shkollave, Drejtoritë Komunale apo palë të tjera në lidhje me përmbajtjen e doracakëve. Pra, nga asnjë mësimdhënës nuk është ngritur kurrë më parë kjo temë.

Ministria e Arsimit kujdeset me të gjitha resurset njerëzore për mirëqenien e fëmijëve në vendin tonë. Ndaj këtë proces të rishikimit do ta kryejmë me përgjegjësinë më të lartë etike dhe profesionale. Ndërkohë, Ministria e Arsimit kërkon nga të gjithë të përmbahen prej gjuhës tejet të papërshtatshme që po përdoret ditët e fundit.

Po ashtu, njoftojmë mësimdhënësit dhe prindërit se doracakët do të largohen nga përdorimi dhe nga faqja zyrtare e MAShTI-t deri në përfundim të rishikimit nga komisioni me ekspertët më të mirë në vend dhe të gjitha palët kompetente që i japin siguri e qartësi këtij procesi. MAShTI është institucioni i vetëm kompetent me autoritetin ligjor për këtë çështje. Në këtë linjë, çdo vendim jokompetent nga institucionet komunale nuk prodhon asnjë efekt juridik.

Së bashku do të bëjmë më të mirën për fëmijët tanë./Lajmi.net/