Ndërtimi i Klinikës së Nefrologjisë dhe Hemato-Onkologjisë, investim mbi 4 milionë euro
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, deputetë të Kuvendit të Kosovës dhe profesionistë shëndetësorë, vizituan punimet në Klinikën e Hemato-Onkologjisë dhe Klinikën e Nefrologjisë, projekt ky që synon arritjen e standardeve më të larta të kujdesit shëndetësor në vend. Ky investim ka një vlerë totale prej…
Lajme
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, deputetë të Kuvendit të Kosovës dhe profesionistë shëndetësorë, vizituan punimet në Klinikën e Hemato-Onkologjisë dhe Klinikën e Nefrologjisë, projekt ky që synon arritjen e standardeve më të larta të kujdesit shëndetësor në vend.
Ky investim ka një vlerë totale prej 4,299,293.31 euro, ku përfshin ndërtimin e një objekti modern me tri nivele:
• Bodrumi: 1056 m² për depo materiale dhe shërbime teknike, që mbështesin aktivitetet e klinikës;
• Përdhesa: 1094 m², ku do të vendoset Klinika e Nefrologjisë dhe shërbimet përkatëse;
• Kati i Parë: 1610 m², ku do të jetë Klinika e Hemato-Onkologjisë, përfshirë zonat e izoluara dhe mbi-ndërtimin mbi repartin ekzistues të Dializës.
Me përfundimin e këtij projekti, do të ofrohen dy shërbime të reja:
• Shërbimi i Plazmaferezës, një procedurë që do të ndihmojë në trajtimin e pacientëve me sëmundje të veshkave;
• Transplantimi Autolog i Palcës Kockore për trajtimin e leukemisë akute, i cili do të mundësojë që pacientët të trajtohen në vendin e tyre pa nevojë për t’u transferuar jashtë Kosovës.
“Ky projekt e ka vlerën totale afër prej afër 4.3 milionë euro edhe do të ofrojë shërbime me standardet më të larta shëndetësore dhe për trajtimin e pacientëve me këto dy sëmundje, të cilët tash do të fillojnë të trajtohen edhe në Republikën tonë, e jo qytetarët në vend se të shkojnë në spital për shërim të mendojnë se me cilën aviokompani do të udhëtojnë jashtë vendit, siç ka ndodhur në këto më shumë se dy dekada. Pra do të ketë qasje në shërbime të reja, të cilët aktualisht nuk janë të disponueshme në vendin tonë. Ky është kapërcimi më i rëndësishëm që po bëhet në investimet në shëndetësi”, u shpreh kryeministri Kurti pas vizitës.
Ai shprehu falënderim për bashkëpunim ndërmjet QKUK-së, ShSKUK-së, drejtorëve të klinikave, stafit shëndetësor, edhe mjekëve edhe infermierëve.
Ky projekt është planifikuar fillimisht të përfundojë brenda 48 muajve, më pas është përshpejtuar në 36 muaj dhe, sipas njoftimeve të fundit, pritet të përfundojë për 24 muaj apo 2 vjet.
Kjo ecuri e shpejtë reflekton përkushtimin e Ministrisë së Shëndetësisë dhe të ShSKUK-së, për të përmbushur nevojat e pacientëve sa më shpejt me aparatura të avancuara, shërbime të reja dhe me infrastrukturë moderne.