”Vetëm kështu i përgatisim si duhet për të ardhmen” ministrja Nagavci promovonte në shkolla doracakët mbi “Edukimin Seksual”
Debati që ngjalli shumë reagime për dy ditë radhazi brenda Kuvendit dhe jashtë tij për doracakët e lëndës “Edukimi Seksual”, përfundoi duke thënë se të njëjtët “nuk janë obligativ”. Zëvendësministri, Tualant Kelmendi, reagoi ndaj debatit të krijuar duke iu referuar si manipulim e të pavërteta. Kelmendi shkroi po ashtu se doracakët “nuk janë obligativ”. Por…
Lajme
Debati që ngjalli shumë reagime për dy ditë radhazi brenda Kuvendit dhe jashtë tij për doracakët e lëndës “Edukimi Seksual”, përfundoi duke thënë se të njëjtët “nuk janë obligativ”.
Zëvendësministri, Tualant Kelmendi, reagoi ndaj debatit të krijuar duke iu referuar si manipulim e të pavërteta.
Kelmendi shkroi po ashtu se doracakët “nuk janë obligativ”.
Por që nëse kthehemi pakëz mbrapa, jo më larg se tetorin e vitit të kaluar pikërisht puna për krijimin e këtyre doracakëve ishte përgëzuar nga e para e ministrisë së Arsimit, Arbërie Nagavci.
Gjatë një vizite në gjimnazin “Sami Frashëri”, në kuadër të Javës së promovimit të shëndetit në shkolla, Nagavci kishte vlerësuar se tema e edukatës seksuale në shkolla është tejet e rëndësishme dhe se sipas saj fëmijët dhe adoleshentët meritojnë të kenë informata të sakta në aspektin mjekësor, shkencor, fiziologjik dhe psikologjik.
“Mirëmbajtja e shëndetit është pjesa më qenësore e jetës sonë, ku shëndeti i fëmijëve dhe të rinjve tanë ka vend të veçantë. Në Kosovë edukimi gjithëpërfshirës seksual është pjesë përbërëse e Kornizës së Kurrikulës së Kosovës” – ishte shprehur ministrja Nagavci.
Veçmas kësaj, në komunikatën për media të ministrisë u tha se MAShTI është ministria e parë në rajon që me sukses e ka trajtuar çështjen e edukimit seksual dhe e ka futur si lëndë mësimore në shkolla, prandaj edhe po merret si model në rajon.
“Ministrja Nagavci ka përgëzuar grupin punues ndërsektorial dhe UNFPA-n, për hartimin e 3 doracakëve ndihmës për mësimdhënës për nivelin 1-5, nivelin 6-9, si dhe nivelin 10-12, duke shtuar se, Ministria e Arsimit mbetet e përkushtuar për ruajtjen dhe përparimin e shëndetit të fëmijëve në institucionet arsimore. Shefja e UNFPA-së, Visare Mujko Nimani ka thënë se, MAShTI është ministria e parë në rajon që me sukses e ka trajtuar çështjen e edukimit seksual dhe e ka futur si lëndë mësimore në shkolla, prandaj edhe po merret si model në rajon”, thuhet ndër të tjera në njoftimin e MAShTI-t./Lajmi.net