Goditi garuesen me shuplakë, Federeta e Taekwondo-s së Kosovës reagon ndaj trajnerit Valmir Fetiu
Federata e Taekwondo-së e Kosovës ka dënuar ashpër veprimin e trajnerit Valmir Fetiu i cili goditi me shuplakë garuesen Valina Fetiu e cila njëkohësisht është edhe vajza e tij në Kampionatin Evropian për Kadetë dhe Fëmijë të mbajtur në Tiranë. Fetiu menjëherë pas këtij incidenti është dënuar me gjashtë muaj pezullim nga të gjitha aktivitete…
Sport
Federata e Taekwondo-së e Kosovës ka dënuar ashpër veprimin e trajnerit Valmir Fetiu i cili goditi me shuplakë garuesen Valina Fetiu e cila njëkohësisht është edhe vajza e tij në Kampionatin Evropian për Kadetë dhe Fëmijë të mbajtur në Tiranë.
Fetiu menjëherë pas këtij incidenti është dënuar me gjashtë muaj pezullim nga të gjitha aktivitete sportive nga Federata Evropiane e Taekwondos dhe këtë vendim e ka mbështetur edhe Federata e Taekwondo-së e Kosovës.
Ja reagimi i plotë i kësaj federate:
Me datë 7-10 nëntor 2024, Federata e Taekwondo-së e Kosovës mori pjesë në Kampionatin Evropian për Kadetë dhe Fëmijë të mbajtur në Tiranë, Shqipëri. Ekipi i Kosovës u përfaqësua nga 12 sportistë të rinj që shfaqën përkushtim, disiplinë dhe aftësi të shkëlqyera në një event evropian kaq të rëndësishëm.
Një nga përfaqesueset e ekipit të Kosoves ishte edhe sportistja Valina Fetiu e cila arriti të shpallet nënkampione në kategorinë e saj.
Gjatë garës finale të Valina Fetiut kundër përfaqësueses serbe Nina Saviç, ndodhi një incident që përfshiu atë dhe trajnerin e saj, i cili është njëkohësisht edhe babai i Valinës. Federata e Taekwondo-së së Kosovës, në bashkëpunim të plotë me Federatën Evropiane të Taekwondo-së, organizatoren e këtij kampionati, mori masa të menjëhershme për të adresuar incidentin dhe në koordinim të plotë në bazë të statutit dhe rregullores së etikës dhe diciplinës, vendosi pezullimin e trajnerit për një periudhë gjashtëmujore në të gjitha aktivitetet e zyrtare nga Taekwondo-ja Evropiane dhe ajo Botërore.
Duke punuar dhe shpresuar që raste si ky, dhe raste tjera të ngjashme të mos përsëriten më, FTËK dënon ashpër veprime të tilla dhe zotohet se gjithmonë do të marrë masa ndaj këtyre dukurive.
Ndërsa garuesen Valina Fetiu dhe të gjithë sportistët tanë Federata do ti mbështesë në të gjitha garat dhe proceset sportive në vijim, dhe jemi të bindur që do sjellin shumë suksese dhe medalje për shtetin tonë.