Deklarata e Kurtit në Frankfurt, Jasharaj: Ka qëllim që të krijoj përçarje e deklarime fyerjesh mes nesh dhe mërgatës

Kreu i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit në Kosovë, Rrahman Jasharaj ka reaguar për deklaratën e kryeministrit Kurti në lidhje me diasporën. Kurti ka thënë dje në Frankfurt se “punëtorët e patriotët më të devotshëm i kemi në diasporë”. Jasharaj këtë e ka konsideruar si “përçarje e deklarime fyerjesh mes vendasve dhe mërgatës” deri sa…

Lajme

11/11/2024 15:43

Kreu i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit në Kosovë, Rrahman Jasharaj ka reaguar për deklaratën e kryeministrit Kurti në lidhje me diasporën.

Kurti ka thënë dje në Frankfurt se “punëtorët e patriotët më të devotshëm i kemi në diasporë”.

Jasharaj këtë e ka konsideruar si “përçarje e deklarime fyerjesh mes vendasve dhe mërgatës” deri sa i ka kujtuar se ne jemi më shumë në Kosovë e ai është më shumë jashtë vendit.

“Sa e di unë mërgata në shumicën e ditëve të vitit është në Evropë apo kudo në botë duke punuar e jetuar dhe vjen në Kosovë një a dy javë, kurse ne punëtorët në sektorin publik e privat dhe të tjerët tërë vitin jemi ne brenda në Kosovë, përveç kur shkojmë për një javë në bregdetin shqiptar, apo dikush për disa ditë te mërgata. Ky është stili yt dhe vazhdo me të, por në këtë fjalimin në Frankfurt tregove se e ke merak të krijosh ndarje përçarje. Mërgata janë farefisi ynë dhe për shumë çka jemi të njëjtë. Ata tani mund të jenë më punëtorë se ne sepse kanë kushte më të mira pune dhe paga që u sigurojnë jetë me dinjitet dhe nuk jetojnë me frikën se çfarë nëse sëmurën dhe çfarë kur të pensionohen”, ka thënë Jasharaj përmes një deklarate për media.

Jasharaj ka thënë se edhe në diasporë ka atdhetarë e njerëz që kanë dhënë shumë për Kosovën, por në Kosovë kishte dhe ka shumë më tepër atdhetarë.

“Kujto rezistencën paqësore, kujto angazhimin sublim të punëtorëve arsimorë për ruajtjen e gjuhës dhe shkollës shqipe në vitet e 90-ta dhe veçmas kujto betejat heroike të ushtrisë sonë çlirimtare. Fjala patriot a atdhetar lidhet me atdheun. Kryeministër ne ishim dhe jemi në Kosovë e ti më shumë je jashtë. Ti lufto për votat , por mos vazhdo me mbjelljen e përçarjes”, ka shtuar ai.

Ai i ka përmendur edhe një situatë ku ai është ndjerë në siklet gjatë një takimi mes sindikatash në Tiranë.

“Kryeministër u ndjeva shumë në siklet edhe për një çështje tjetër. Në Tiranë, sindikatat nga Ballkani e Evropa flisnin për sindikatat dhe demokracinë dhe e thanë se kur Qeveria ka qasje të gabuar dhe armiqësore ndaj sindikatave godet frymën demokratike sepse nuk ka demokraci pa sindikata. Ti e Murati keni bërë shumë për t’i shuar sindikatat. Kur këto gjëra fliteshin në Konferencën e Tiranës me bëhej sikur të gjithë na shikonin neve të sindikatave nga Kosova dhe sikur donin të na thoshin se gjithë këto vlejnë për shtetin tuaj”, ka shtuar ai. /Lajmi.net/