Sot seanca ndaj ministres Gërvalla, ajo prapë nuk paraqitet para trupit gjykues
Ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla- Schwarz sot parashihej të paraqitej në Gjykatën Themelore në Prishtinë. Kjo ishte konfirmuar për lajmi.net ditë më parë nga gjykata. Akuza e ngritur ndaj ministres Gërvalla ishte paraparë të zhvillohej sot. “Referuar kërkesës tuaj për informata, ju njoftojmë se lënda në fjalë është në procedurë e…
Lajme
Ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla- Schwarz sot parashihej të paraqitej në Gjykatën Themelore në Prishtinë.
Kjo ishte konfirmuar për lajmi.net ditë më parë nga gjykata.
Akuza e ngritur ndaj ministres Gërvalla ishte paraparë të zhvillohej sot.
“Referuar kërkesës tuaj për informata, ju njoftojmë se lënda në fjalë është në procedurë e sipër. Seanca e shqyrtimit gjyqësor është e caktuar për datën 07 nëntor 2024”,ishte thënë nga gjykata.
Por edhe sot, kjo seancë ka dështuar.
Kjo për faktin se ministrja Gërvalla ka zgjedhur që të udhëtojë jashtë vendit, saktësisht në Lituani.
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka njoftuar se Gërvalla do të marrë pjesë në Forumin e Lartë për të Ardhmen e Demokracisë, që do të mbahet më 7 dhe 8 nëntor 2024 në Vilnius, Lituani, me ftesë të Ministrit të Punëve të Jashtme të Lituanisë, Gabrielius Landsbergis.
Ministrja Donika Gërvalla Schwarz akuzohet se në cilësinë e zyrtares së lartë publike në formularin për deklarim të pasurisë më 22 mars 2021, nuk kishte paraqitur saktë të dhënat e kërkuara me ligj.
E mos praninë e saj në seancë sot e konfirmoi edhe avokati mbrojtës Arianit Koci.
Pas kësaj , gjykatësi Dibran Jusufi theksoi se në mungesë të të akuzurës Gërvalla nuk janë të plotësuara kushtet për mbajtjen e seancës.
Gjykata Themelore në Prishtinës më 19 qershor 2024 kishte konfirmuar aktakuzën për mos raportim të pasurisë ndaj Gërvallës, duke refuzuar kërkesën për kundërshtim të provave dhe hudhje të aktakuzës.
Më pas, Gjykata e Apelit, e ka refuzuar si të pabazuar ankesën e mbrojtjes së Gërvallës, duke vërtetuar aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, me të cilin ishte konfirmuar aktakuza ndaj saj.
Pavarësisht kësaj seancat ndaj Gërvallës assesi nuk arrijnë të zhvillohen pasi që e njëjta zakonisht ka mungesë të pranisë në sallën e gjyqit./Lajmi.net/