Sfidat e brendshme dhe konfliktet globale: Cila do të jetë qasja e Trumpit?
Donald Trump arriti t’i tejkalojë ndasitë brenda Partisë Republikane, sfidat ligjore dhe një atentat kundër tij për t’u zgjedhur sërish president i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Trump, 78 vjeç, bëhet presidenti më i moshuar që i fiton zgjedhjet presidenciale në SHBA. Gjatë fushatës presidenciale, Trump bëri premtime të mëdha për atë që pritet të…
Bota
Donald Trump arriti t’i tejkalojë ndasitë brenda Partisë Republikane, sfidat ligjore dhe një atentat kundër tij për t’u zgjedhur sërish president i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Trump, 78 vjeç, bëhet presidenti më i moshuar që i fiton zgjedhjet presidenciale në SHBA.
Gjatë fushatës presidenciale, Trump bëri premtime të mëdha për atë që pritet të ndodh me rikthimin e tij në Shtëpinë e Bardhë.
Por, tani që Trump ka fituar një mandat të dytë, çfarë pritet nga administrata e tij e re?
Mbështetësit e tij besojnë se do ta bëjë “Amerikën madhështore” sërish”. Ndërkaq, kundërshtarët kanë paralajmëruar se Trump do ta minojë demokracinë.
Brenda vendit, sistemi gjyqësor amerikan është një fushë ku Trump pritet të bëj spastrime. Nga kundërshtarët kjo kryesisht shihet si hakmarrje për shkak të rasteve të shumta penale që lidhen me mandatin e tij të parë si president.
Trump pritet të zgjeroj politikat kundërthënëse të migracionit që mund të çojnë në dëbimin e miliona migrantëve ilegalë.
Jashtë vendit, Trump pritet të angazhohet menjëherë në ndalimin e luftërave në botë, përfshirë luftën e Rusisë në Ukrainë dhe luftën e Izraelit në Lindjen e Mesme. Për këtë u zotua në fjalimin e tij të parë derisa rezultatet i shkonin në favor.
“Ne duam një ushtri të fortë dhe të fuqishme dhe në rastin më të mirë nuk do të na duhet ta përdorim. Ju e dini, nuk patëm luftë. Për katër vjet nuk patëm luftëra, përveç që mposhtëm ISIS-in. E mposhtëm ISIS-in në kohë rekord, por nuk patëm luftëra. Ata thanë se unë do ta nisi një luftë. Unë nuk do të nisi luftë, unë do të ndaloj luftërat. Por, kjo gjithashtu është një fitore e madhe për demokracinë dhe për lirinë”, tha Trump.
Më herët, Trump tha se “brenda 24 orësh” do t’i jap fund luftës në Ukrainë. Por, shumë njerëz janë shprehur skeptikë me qasjen që Trump mund të ketë.
Një konflikt tjetër, me të cilin administrata Trump pritet të merret, është lufta e Izraelit ne rripin e Gazës. Me Izraelin e përfshirë në një luftë me dy fronte në Lindjen e Mesme kundër grupeve të armatosura të mbështetura nga Irani, Trump i ka bërë thirrje Izraelit “ta kryej punën”. Ndërsa Kina, me të cilën Trump ka nisur një luftë tregtare gjatë mandatit të tij të parë në pushtet, është fushë e paparashikueshme.
Trump është zotuar se do të vendosë tarifa më të larta ndaj produkteve të prodhuara në Pekin, nëse Kina “e okupon Tajvanin”.
Një pikë e rëndësishme do të jetë edhe raporti me NATO-n dhe me shtetet anëtare. Gjatë mandatit të parë, politika e Trumpit “Amerika e para” krijoi paqëndrueshmëri si mes partnerëve, ashtu edhe mes kundërshtarëve. Anëtarët e NATO-s thanë se në mandatin e parë të Trumpit, SHBA-ja ishte “aleate e paparashikueshme”.
Trump do të inaugurohet si president më 20 janar dhe me rikthimin e tij në Shtëpinë e Bardhë, pritet që menjëherë të fokusohet te lufta në Ukrainë dhe konfliktet në Lindjen e Mesme.
Ndalimi eventual i tyre mund të shënojë drejtimin administratës së presidentit Trump dhe ndikimi i tij në këto luftëra mund të jetë vendimtar për stabilitetin global. REL