Trump deklarohet publikisht, thotë se ka fituar zgjedhjet në SHBA
Republikani Donald Trump thotë se ka fituar garën presidenciale në SHBA kundër demokrates Kamala Harris, që do ta kthente Trumpin sërish në Shtëpinë e Bardhë pas katër vjetëve. “Amerika na ka dhënë një mandat të paprecedentë dhe të fuqishëm”, tha ai herët të mërkurën para një turme përkrahësish në Qendrën e Konventave të Qarkut Palm…
Bota
Republikani Donald Trump thotë se ka fituar garën presidenciale në SHBA kundër demokrates Kamala Harris, që do ta kthente Trumpin sërish në Shtëpinë e Bardhë pas katër vjetëve.
“Amerika na ka dhënë një mandat të paprecedentë dhe të fuqishëm”, tha ai herët të mërkurën para një turme përkrahësish në Qendrën e Konventave të Qarkut Palm Beach.
Disa media në SHBA ende nuk e kanë shpallur fituesin, por Trump duket se është pranë fitores pasi siguroi shtetet kyçe të fushëbetejës si Pensilvaniae Karolina e Veriut dhe ka avantazh në katër të tjerat, sipas sondazhit të Edison Research.
Trump premtoi në fjalimin e tij se të luftojë “për familjen tuaj dhe të ardhmen tuaj”. Ai premtoi se nuk do të “pushojë derisa të kemi sjellë një Amerikë të fortë, të sigurt dhe të begatë”.
“Çdo ditë,” tha Trump, “do të luftoj për ju me çdo frymëmarrje të trupit tim.”
Ai gjithashtu tha se do t’i përfundojë luftërat në botë, duke shtuar se do ta forcojë ushtrinë amerikane me shpresën se “nuk do të duhet ta përdorim”.
Harris nuk ka folur ende para përkrahësve të saj, të cilët janë mbledhur në universitetin e saj të dikurshëm, Hoëard University. Kryesuesi i fushatës së saj, Cedric Richmond, iu drejtua shkurt turmës pas mesnate, duke thënë se Harris do të fliste publikisht të mërkurën.
“Ne ende kemi vota për të numëruar”, tha ai.
Republikanët fituan një shumicë në Senatin e SHBA-së pasi rrëzuan ulëset demokrate në Virgjinia Perëndimore dhe Ohajo.
Asnjëra nga partitë nuk dukej të kishte një avantazh në luftën për kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve, ku aktualisht republikanët mbajnë një shumicë të ngushtë.
Trump hyri në Ditën e Zgjedhjeve me një shans 50-50 për ta rimarrë Shtëpinë e Bardhë, duke u rikthyer pas 6 janarit të vitit 2021, kur shumë analistë e shpallën karrierën e tij politike të mbaruar.
Atë ditë, një turmë përkrahësish të tij sulmoi Kongresin në një përpjekje për të përmbysur rezultatet e zgjedhjeve të vitit 2020.
Trump fitoi më shumë mbështetje nga hispanikët, votues tradicionalisht demokratë, dhe në mesin e familjeve me të ardhura të ulëta që kanë ndier rritjen e çmimeve që nga zgjedhjet e fundit presidenciale në vitin 2020, sipas sondazheve të Edison.
Trump fitoi 45% të votuesve hispanikë në të gjithë vendin, duke mbetur prapa Harrisit me 53%, por duke u rritur me 13 pikë përqindje nga viti 2020.
Rreth 31% e votuesve thanë se ekonomia ishte çështja kryesore për të cilën votonin, dhe ata votuan për Trumpin me një përqindje të lartë.