​LVV i kundërpërgjigjet kërkesës së BE-së për dërgimin e draft-statutit të Asociacionit në Kushtetuese

Partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, po vazhdon të insistojë se Kosova ka institucionet e veta për të hartuar draft-statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Duke iu kundërpërgjigjur kërkesës së vazhdueshme të BE-së që Kosova të procedojë në Gjykatën Kushtetuese draft-statutin e Asociacionit të hartuar nga BE-ja, në LVV akuzojnë Serbinë se s’po zbaton…

Lajme

04/11/2024 15:04

Partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, po vazhdon të insistojë se Kosova ka institucionet e veta për të hartuar draft-statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Duke iu kundërpërgjigjur kërkesës së vazhdueshme të BE-së që Kosova të procedojë në Gjykatën Kushtetuese draft-statutin e Asociacionit të hartuar nga BE-ja, në LVV akuzojnë Serbinë se s’po zbaton marrëveshjen e Brukselit dhe aneksin e Ohrit.

Në anën tjetër, dy partitë opozitare, LDK dhe AAK akuzuan qeverinë e Kosovës se i ka sjellë vendit marrëveshje të keqe që shkelin rendin kushtetues të Kosovës.

Shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila, tha se institucionet e Kosovës janë të afta dhe kanë kompetenca për të hartuar draft-statutin e Asociacionit dhe dërgimin për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese.

“Qeveria është dakorduar me marrëveshje të Brukselit dhe të Ohrit dhe shkeljet në këtë marrëveshje nuk i bënë qeveria e Kosovës, por dihet se kush i bënë. Prandaj për çështje të tjera të procedurës së zbatimit, besoj se njëjtë siç e tha kryetari i Kuvendit janë institucionet sovrane. Kosova është vend sovran dhe ka të gjitha institucionet e veta të cilat janë në gjendje dhe të afta. Natyrisht kanë edhe kompetencën dhe obligimin kushtetues që t’i kryejnë punët e veta”, tha ajo.

Mirëpo kritika adresoi shefi i deputetëve të LDK-së, Arben Gashi, i cili tha përmes marrëveshjes së Brukselit dhe aneksit të Ohrit, qeveria Kurti ka shkel rendin kushtetues të Kosovës.

Ai vuri në mëdyshje edhe pranimin ose jo të Qeverisë së Kosovës të draft-statutit të Asociacionit.

“Qeveria e Kosovës e ka pranuar marrëveshjen e Ohrit dhe ka pranuara marrëveshjen e Brukselit, të cilat janë përtej marrëveshjes së vitit 2013. Në kuptimin tonë janë shkelje e rendit kushtetues dhe problematike për Kosovën. Prandaj sjellja e papërgjegjshme e qeverisë në deklarata dhe veprime po dëmton në vazhdimësi reputacionin e Kosovës, besueshmërinë përballë partnerëve ndërkombëtare dhe po e dëmton pranueshmërinë e Kosovës në sferën ndërkombëtare…Njëherë thonë e pranojmë, tjetrën se pranojnë. Një herë thonë qitna të nënshkruajmë, pastaj thonë të dyja. Mandej bëhet obligim i BE-së dhe thonë jo tash se pranojmë. Po bëhen lojëra të cilat po e dëmtojnë në vazhdimësi Kosovës i rezultat i papjekurisë politike dhe mendjemadhësisë në sjellje, duke menduar se ata janë një superfuqi që vendosin në arenën ndërkombëtare”, tha ai.

Ndërkaq, shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, akuzoi qeverinë se ia ka lënë në ‘derë’ qeverisë së ardhshme marrëveshjen e Brukselit dhe draft-statutin e Asociacionit, të cilat i quajti të dëmshme për vendin.

“Kjo qeveri e ka pranuar Asociacionin. Ka një letër, e nënshkruar nga kryeministri, kryeparlamentari dhe presidentja. Ekziston po ashtu një letër nga ministrja e Punëve të Jashtme e cila po ashtu e ka pranuar Asociacionin. Asociacionin këta munden me thënë se është non-paper apo jo. Por është pranuar nga qeveria dhe po e them me përgjegjësi të plotë na kanë lënë të dera, mos me lënë një fjalë popullore. Kushdo që vjen, kjo qeveri na ka lënë te dera marrëveshjen e Brukselit, aneksin e Ohrit dhe draft-statutin e Asociacionit”, deklaroi Tahiri.

Bashkimi Evropian së fundmi i ka kërkuar institucioneve në Kosovë që të procedojnë në Kushtetuese draft-statutin e Asociacionit, të hartuar nga vet ata.

Mirëpo, një gjë e tillë po konsiderohet e papranueshme nga kryeministri Albin Kurti, i cili javën e kaluar tha se kryeministri nuk themelon Asociacione të komunave.