​Gashi: Si rezultat i ndërhyrjes së LVV-së në RTK, u shkatërrua besimi

Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi tha se partia në pushtet e ka shkatërruar besimin ndaj RTK-së. Për këtë arsye, Gashi shtoi se kanë marrë vendim që të mos marrin pjesë në programacionin e transmetuesit publik. Në seancë plenare ku po diskutohet për shkarkimin e anëtarëve të bordit të RTK-së,…

Lajme

04/11/2024 13:46

Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi tha se partia në pushtet e ka shkatërruar besimin ndaj RTK-së. Për këtë arsye, Gashi shtoi se kanë marrë vendim që të mos marrin pjesë në programacionin e transmetuesit publik.

Në seancë plenare ku po diskutohet për shkarkimin e anëtarëve të bordit të RTK-së, ai theksoi se transmetuesi publik do të duhej të mbronte dhe përfaqësonte interesin e qytetarëve.

“Radio Televizioni i Kosovës dështoi që të ofronte shërbimin e vet si institucion publik, dhënien e lajmit dhe programacionit në interes publik. Si rezultat i këtij dështimi, politizimi dhe kapje nga LVV dhe personi kontrollues që kontrollohet nga Lëvizja Vetëvendosje, Lidhja Demokratike e Kosovës mori vendim dhe refuzoi çdo pjesëmarrje në debate dhe emisione të RTK-së në institucion publik. Duke pasur parasysh se ky institucion është institucion publik dhe ka për qëllim mbrojtjen e interesit publik, pra është pronë e qytetarëve të Kosovës do të duhej të mbronte dhe përfaqësonte interesin e qytetarëve të Kosovës. Kur si rezultat i ndërhyrjes së LVV-së, kapjes së bordit, kapjes së politikës redaktuese dhe dhënies së lajmeve të pavërteta u dëmtua interesi publik, u politizua institucioni, u shkatërrua besimi, ne refuzuam të jemi pjesë e kësaj ndërmarrje”, deklaroi Gashi.

Më tej, shefi i deputetëve të LDK-së shtoi se “RTK prodhoi informacione të rrejshme kundër kolegëve të tyre”.