Borrelli për dialogun Kosovë-Serbi: S’ka të bëjë me njohje, por me normalizim – nëse njohja vjen, vjen në fund

Shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell, në konferencën për media ku u njoftua miratimi i Pakos vjetore të Zgjerimit, ka folur edhe për procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel. I pyetur nëse ndihet përgjegjës për mungesën e zbatimit të marrëveshjeve dhe nëse gjërat kanë mundur të shkojnë ndryshe, Borrelli tha: “Padyshim se…

Lajme

30/10/2024 17:30

Shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell, në konferencën për media ku u njoftua miratimi i Pakos vjetore të Zgjerimit, ka folur edhe për procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel.

I pyetur nëse ndihet përgjegjës për mungesën e zbatimit të marrëveshjeve dhe nëse gjërat kanë mundur të shkojnë ndryshe, Borrelli tha: “Padyshim se gjithçka ka mundur të bëhej ndryshe. Gjithçka mund të bëhet në mënyrë tjetër”.

“Por mendoj se kjo na duhet në atë mënyrë që të dyja palët të mund të pranojnë. Mendoj se të gjithë duhet ta kuptojnë se ky proces nuk ka të bëjë me njohje. Nëse njohja vjen, ajo vjen në fund. Por, ka të bëjë me normalizimin”.

“Nuk mund të nisni të kërkoni të veproni sikur të ishit të njohur nga pala tjetër, sepse nuk është ky rasti. Nuk mund t’i ngatërroni dëshirat tuaja me realitetin. Duhet të kuptohen limitet kushtetuese nga të dyja palët”, ka thënë Borrelli mes tjerash.

Ai ka falënderuar lehtësuesin e dialogut, Miroslav Lajçak për punën e tij, teksa ka kërkuar nga Kosova dhe Serbia që t’i adresojnë dhe zgjidhin çështjet e hapura.