Ambasada e Kosovës në Austri në shërbim të pushtetit- Kurti e Gërvalla e përdorin atë për fushatë elektorale
Kryeministri i vendit, Albin Kurti si kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje si dhe kandidat për një mandat tjetër në krye të Qeverisë ka vendosur që fushatën e tij elektorale ta nis në diasporë. Kurti që gjatë muajit të kaluar qëndroi në Gjermani e Francë, ku zhvilloi takime të njëpasnjëshme me mërgatën atje duke folur për planet…
Lajme
Kryeministri i vendit, Albin Kurti si kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje si dhe kandidat për një mandat tjetër në krye të Qeverisë ka vendosur që fushatën e tij elektorale ta nis në diasporë.
Kurti që gjatë muajit të kaluar qëndroi në Gjermani e Francë, ku zhvilloi takime të njëpasnjëshme me mërgatën atje duke folur për planet e qeverisjes dhe sfidat ekonomike e zgjidhjet që pretendon t’i bëjë.
Edhe këtë muaj që nis pas dy ditësh, Kurti pretendon ta fokusoj punën e tij në takime me mërgatë, por tani në Austri e Zvicër.
Por çështja qëndron diku tjetër.
Kurti mund të realizojë fushatë ku të dojë, por jo që ambasadat e shteti të Kosovës në vendet e Evropës të shndërrohen në shërbim të tij, si politikan.
E ngjashëm ka ndodhur së fundi me ambasadën e Kosovës në Austri.
Në një njoftim të bërë publik në Facebook, Ambasada e Kosovës në Vjenë hapur është vënë në shërbim të pushtetit duke bërë njoftime për tubime elektorale.
Aty njoftohet për tubimin që do të mbajë kryeministri Albin Kurti bashkë me zv/kryeministren Donika Gërvalla-Schwarz.
“Të nderuar bashkatdhetarë, Kemi kënaqësinë të ju ftojmë të merrni pjesë në një takim të veçantë me Kryeministrin e Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti, dhe Zëvendëskryeministren dhe Ministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, znj. Donika Gërvalla Schwarz”, thuhet në njoftimin e Ambasadës së Kosovës në Vjenë.
Padyshim se një thirrje e tillë nga ambasada për takime elektorale politike nuk është aspak e rregullt.
Ky tubim parashihet të mbahet më 3 nëntor 2024 nga ora 15:00 deri në orën 17:00.
Përpos Vjenës, Kurti parashihet të udhëtoj për në Zvicër me 1 nëntor, në Aargau.
Ai edhe atje do të takohet me mërgimtarë të shumtë, të cilëve do t’u flas padyshim për politikat e tij në kuadër të Vetëvendosjes dhe qeverisjes në Kosovë.
Kurti dhe gjithë Lëvizja Vetëvendosje duket se fokusin e momentit e kanë tek mërgata dhe mundësisë së tyre për të votuar në zgjedhjet nacionale të 9 shkurtit 2025.
E këto udhëtime drejt Evropës sigurisht se atij po ia mundësojnë që të jenë edhe më afër tyre./Lajmi.net/