​Musliu tregon për çka bashkëbiseduan me drejtorin e AKI-së: Zyba bëri presion direkt ndaj drejtorit dhe meje

Kryetarja e Komisionit për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Ganimete Musliu pas përfundimit të takimit me drejtorin e AKI-së, Petrit Ajeti tha se në mungesë të kuorumit me drejtorin bashkëbiseduan lidhur me raportimet për përndjekjen e gazetarëve nga AKI. Ajo tha se deputetët e LVV-së tentuan ta pengojnë mbajtjen e Komisionit, madje edhe…

Lajme

30/10/2024 12:19

Kryetarja e Komisionit për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Ganimete Musliu pas përfundimit të takimit me drejtorin e AKI-së, Petrit Ajeti tha se në mungesë të kuorumit me drejtorin bashkëbiseduan lidhur me raportimet për përndjekjen e gazetarëve nga AKI.

Ajo tha se deputetët e LVV-së tentuan ta pengojnë mbajtjen e Komisionit, madje edhe këtë bashkëbisedim.

Musliu tha se nga Ajeti kërkuan që të mos bie pre e presioneve por të respektoj ligjet dhe kushtetutën e Kosovës.

Musliu ka theksuar se Ajeti është ftuar për të diskutuar për dy çështje, për raportimet se disa gazetarë po përcillen nga agjentët e AKI-së dhe për ndërhyrjen e Dejona Mihalit në institucionet vendimmarrëse.

“E patë se çka ndodhi në mbledhje, u pengua që të mbahet mbledhja. Duke ndjekur me shqetësim, me mbështetjen e 1/3 të komisionit, kemi ftuar për raportim drejtorin e AKI-së, Petrit Ajeti, për raportimet se disa gazetarë po përndiqen nga zyrtarë të AKI-së dhe ndikimin e Dejona Mihalit në disa institucione të rëndësishme. Jemi në përfundim të mandatit dhe çdo iniciativë hetimore do të merret si fushatë zgjedhore dhe bazuar se këto iniciativa mund ta dëmtojnë më tepër AKI kishte dakordancë dhe vullnet që të vazhdojmë me mbledhje”.

Musliu tha se kërkuan që të respektohet ligji dhe Kushtetuta.

Ajo ka thënë se megjithëse u pengua mbajtja e mbledhjes së Komisionit, ajo ka pasur një bashkëbisedim me Ajetin, gjë e cila, siç deklaroi ajo, u pengua sërish nga deputeti i VV-së, Salih Zyba.

“Kërkuam që të respektojnë ligjin dhe Kushtetutën dhe te mos i nënshtrohemi. Për të qenë më e qartë, misioni i AKI-së është identifikimi i kërcënimeve të sigurisë, stabiliteti ekonomik, kurse Komisioni mbikëqyr AKI-në, buxhetin e kështu më radhë.E potencova, që pati tentime që të pengohet edhe bashkëbisedimi me drejtorin Ajeti, nga deputeti i VV-së, Salih Zyba. Përveç pengesës sime, bëri presion direkt ndaj drejtorit të AKI-së”,tha Musliu./Lajmi.net/