U raportua se ishte djegur serveri, komuna e Podujevës: Lajmi për djegien e serverit është i pavërtetë
Komuna e Podujevës ka reaguar së fundi pas disa raportime se është djegur serveri i ruajtjes së të dhënave të Komunës. Në reagimin e komunës së Podujevës bëhet e ditur se serveri kishte dëmtime, por që i njëjti nuk është djegur. “Njoftojmë qytetarët e Podujevës se lajmi për djegien e serverit të komunës nuk është…
Lajme
Komuna e Podujevës ka reaguar së fundi pas disa raportime se është djegur serveri i ruajtjes së të dhënave të Komunës.
Në reagimin e komunës së Podujevës bëhet e ditur se serveri kishte dëmtime, por që i njëjti nuk është djegur.
“Njoftojmë qytetarët e Podujevës se lajmi për djegien e serverit të komunës nuk është i vërtetë dhe në asnjë rast nuk janë cenuar të dhënat personale të qytetarëve.
E vërteta është se pas ndërprerjes së energjisë elektrike gjatë mëngjesit të së enjtes të javës së kaluar, disa hardisqe kanë pësuar defekte, të cilat janë të natyrës teknike dhe janë të menaxhueshme. Pra, infrastruktura bazë është e paprekur dhe funksionon siç duhet dhe se defektet e krijuara janë të riparueshme.
Ju njoftojmë, gjithashtu se mbarëvajtja e punëve administrative në Komunën e Podujevës po zhvillohet normalisht.
Edhe pas defekteve në këto hardisqe, nuk janë humbur të dhënat, pasi ato janë të ruajtura në kompjuterët e zyrtarëve, në programet aplikative siç janë intraneti, uebfaqja zyrtare, programet e financave dhe ato të dhëna janë duke u rikkthyer në sistem nga zyrtarët e IT-së.
Por, nuk bëhet fjalë për të dhëna të qytetarëve, pasi ato ruhen në Agjencinë e Regjistrimit Civil (ARC) në nivel qendror. Kjo është një garanci që, pavarësisht ngjarjeve të papritura, Komuna është në gjendje të ofrojë shërbime të qëndrueshme dhe të besueshme për qytetarët tanë.
Lajmet e tilla se kinse është djegur serveri i Komunës, përveçqë janë të pavërteta, ato janë edhe tendencioze, dashakeqëse dhe kanë për qëllim të krijojnë panik dhe huti te qytetarët. I sigurojmë qytetarët se të dhënat e tyre janë të sigurta dhe nuk duhet të shqetësohen aspak për këtë”, thuhet në njoftimin e Komunës së Podujevës“, thuhet në njoftimin e tyre./Lajmi.net