Ish-deputeti serb e akuzon Vuçiqin: Ai e dha urdhrin për Banjskën, prandaj nuk e arreston Radoiçiqin

Dragan Shormaz, deputet i Parlamentit të Serbisë (2001 – 2022), ka thënë se presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq nuk do ta arrestojë terroristin Milan Radoiciq për sulmin në Banjskë, sepse ai vetë e ka urdhëruar që ta përgatisë shkëputjen e veriut nga Kosova. “E di kush ka folur me Vuçiq dhe kush e ka bërë…

Lajme

30/10/2024 10:19

Dragan Shormaz, deputet i Parlamentit të Serbisë (2001 – 2022), ka thënë se presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq nuk do ta arrestojë terroristin Milan Radoiciq për sulmin në Banjskë, sepse ai vetë e ka urdhëruar që ta përgatisë shkëputjen e veriut nga Kosova.

“E di kush ka folur me Vuçiq dhe kush e ka bërë këtë, por janë disa gjëra që nuk dua t’i ndaj me publikun, sepse nuk bën të publikohen. Unë saktësisht e di që në çdo moment çfarë ka bërë Vuciqi lidhur me Banjskën dhe në çfarë ka rënë pastaj”, ka thënë ish-deputeti i Vuçiq.

Ai më tej ka theksuar se Vuçiq ka pasur qëllim që ta organizojë shkëputjen e 4 komunave veriore nga Kosova.

“Ky ka qenë qëllimi. Përndryshe, çfarë prisnin aty 24 xhipa me përplot municion në Banjskë, e cila ka 5 shtëpi, një manastir dhe banjën ku punojnë 60 njerëz? Kjo ka qenë pika kontaktuese nga e cila është dashur të nisen dhe t’i bllokojnë të gjitha rrugët në veri”, ka shtuar Dragan Shormaz, i cili është tash kryetar i Këshillit Euroatlantik të Serbisë.

Shormaz më pas e ka shtruar pyetjen se “pse nuk e arreston Radoiciqin, nëse Radoicici nuk është pajtuar me urdhrin e Vuçiqit?”.

“Përndryshe, nëse Radoiciqi do ta kishte bërë të gjithën vetë, pse atëherë nuk e arreston Vuçiq atë? Pse po frikësohet nga kjo? Le ta gjykojë në Serbi!”, ka konkluduar ai.

“Pse qenka problem që Radoiciqi të dalë para gjykatës? Ai vetë e ka pranuar se çfarë ka ndodhur! Katër viktima të këtij konflikti janë – tre serbë dhe një polic shqiptar”, ka theksuar Dragan Shormaz në intervistën e dhënë dje në televizionin serb KTV (14:18 – 15:47).